Prezantohet Kongoli në esperanto

Shumë shkurt pas botimit në gjuhën esperanto të romanit të Fatos Kongolit, “Lëkura e Qenit”, Shoqata e Esperantistëve të Polonisë dhe ajo e Esperantistëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me Institutin e Librit - Toena, organizuan të martën në Tiranë prezantimin e këtij botimi. Përkthimin në esperanto e bënë esperantisti polak, Tomasz Chmielik, dhe ai shqiptar, Bardhyl Mezini.
Ndryshe, romani “Lëkura e Qenit” në shqip është botuar për herë të parë në vitin 2003. Romani pastaj është përkthyer dhe botuar edhe në disa gjuhë të huaja, si në frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, polonisht, etj.
Veç kësaj, në vitin 2003, romani "Lëkura e Qenit" i siguroi shkrimtarit Kongoli edhe mirënjohjen "Penda e Argjendtë".