E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet në Komisionin e Ekonomisë, raporti i Avokatit të Prokurimeve Publike

Komisioni për Ekonominë dhe Financat u njoh sot me veprimtarinë e punës së Institucionit të Avokatit të Prokurimeve Publike për vitin 2009, i cili u prezantua nga kreu i këtij institucioni, Altin Qoshja. Në fjalën e tij, ai theksoi se gjatë vitit 2009, APP ka siguruar mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit dhe rregullave të prokurimit, si dhe respektimin e procedurave të prokurimit dhe dhënies me konçension nga autoritetet kontraktore për garantimin e operatorëve ekonomikë në transparencën e procedurave. Gjithashtu, Qoshja theksoi se ligji për prokurimet publike nuk lë hapësira për të favorizuar operatorë ekonomik të caktuar, në mënyrë klienteliste. Në mënyrë të veçantë, sipas tij, Shqipëria është vendi i dytë në botë me 100% prokurime publike online ndërsa vuri në dukje se ky sistem ka ndikuar në uljen e nivelit të korrupsionit si dhe thellimin e luftës kundër këtij fenomeni. Pasi u njohën me raportin vjetor të APP, anëtarët e Komisionit të Ekonomisë duke vlerësuar punën e këtij institucionit theksuan se janë bërë hapa cilësor përsa i përket përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Më tej theksuan rëndësinë që ka rritja e cilësisë së ofertave në bazë të projekteve. Ata e cilësuan institucionin e Avokatit të Prokurimeve Publike si një institucion që ka rritur besimin tek operatorët ekonomikë dhe është një progres i rëndësishëm për sistemin ekonomik në vend duke rritur dukshëm konkurrencën. Anëtarët e Komisionit të Ekonomisë vlerësuan edhe kontributin e këtij institucioni për rekomandimet e dhëna lidhur me përmirësimin e bazës ligjore. Në mbledhjen e radhës së këtij Komisioni, anëtarët do të prezantojnë një projektrezolutë përmes së cilës do të japin vlerësimet për veprimtarinë e punës së institucionit të APP si dhe do të japin rekomandimet për vitin 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›