Prezantohet paketa e re e shërbimeve shëndetësore për moshën e tretë
Të gjithë personat e moshës së tretë, që prej ditës së sotme, përfitojnë shërbime shëndetësore (paketë shëndetësore plus) të paofruara deri tani në shërbimin shëndetësor parësor, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me monitorimin e gjendjes së tyre shëndetësore, si dhe këshillimin për jetë të shëndetshme. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, zgjodhi Ditën Botërore të të Moshuarve për prezantimin e kësaj pakete në qendrën shëndetësore nr. 8 në Tiranë, për arsyen se themelet e një sistemi shëndetësor fillojnë tek mjeku i familjes. "Ky dokument është fillesa e një reflektimi të madh, që nuk mbaron", tha ministri i Shëndetësisë, sipas të cilit, "për herë të parë kemi në programin e një qeverie, përfshirjen e dukshme të spikatur të problemeve të moshës së tretë, ku për ç’na takon si shëndetësi kemi problem madhor problemin e shëndetit. Këto elementë të monitorimit, pra të ndjekjes të të sëmurëve tashmë janë pjesë dhe të paketës bazë të shërbimeve që ofrohet në shërbimin parësor", tha ai, duke premtuar se jemi në fillesat e një pune që ka shënuar hapat e saj të para, por me vite do të ecim drejt konsolidimit dhe integrimit të shërbimeve akoma më të specializuara në të gjitha qendrat tona për këtë kategori. Paketa e shërbimeve shëndetësore për moshën e tretë përfshin kujdesin parandalues dhe edukimin e pacientëve apo familjes në monitorimin e lëvizshmërisë dhe aktivitetin fizik, monitorimin e pamjes dhe dëgjimit, të kapacitetit funksional mendor dhe këshillimin e aktivitetve të stimulimit mendor. Gjithashtu, në këtë paketë përfshihet monitorim periodik i gjendjes së të ushqyerit, si dhe këshillim për ushqyerjen e shëndetshme, këshillim për masa parandaluese për sëmundjet ishemike të zemrës dhe ato cerebrale, për ushtrime fizike dhe marrje të kalçiumit dhe vitamisë D për të parandaluar pasojat e osteoporozës, si dhe monitorim dhe edukim periodik të të moshuarve dhe familjarëve të tyre mbi dhunën apo abuzimin ndaj të moshuarve.
...