Prezanton “Moshataren”
Tenori Shkodran Tolaj, i cili tani është duke kënduar edhe muzikë popullore dhe qytetare, ka realizuar videospotin e këngës së tij “Moshatarja”.
“Jam rritur me këngën popullore dhe si fëmijë isha i pasionuar në instrumentet tona.
Do thosha që talenti është i trashëguar, pastaj varet se a kultivohet”, ka thënë në një bisedë të shkurtër Tolaj për Express.
Sipas tij, ngjyra e zërit dhe disa gjëra të tjera ai i ka trashëguar nga vendi i tij Vokshi (Deçan), por edhe nga babai, për të cilin thotë se ka qenë këngëtar. “Fati deshi që unë ngritjen profesionale ta bëj në Gjermani në vitet më të rënda për Kosovën dhe sigurisht që gjërat në jetë marrin rrjedhën e vet varësisht nga kushtet dhe koha”.
Tolaj thotë se muzika klasike e ka bërë atë më profesionist, por shpesh ka dëshirë që të këndojë edhe këngë që janë në tingujt origjinalë të këngës shqipe dhe atdheut të tij.
“Andaj, unë në vazhdimësi kam kultivuar këngët popullore, të lehta shqipe. Kam një studio të vogël dhe këtë gjë e bëj për ushqim shpirtëror. Mendoj që një artist, pavarësisht se në çfarë shkalle profesionale arrin, e rëndësishme është të ruajë origjinalitetin autokton, identitetin dhe vendin ku ka pi ujin e nismës artistike, ‘burimin’! Respektimi i vendit të zanafillës artistike garanton sukseset e sigurta!”.
Kënga “Moshatarja” vjen pas disa këngëve të tij siç ishte balada “Njeriu”, “Dhe këndoj Shqipja” e disa të tjera të shfaqura edhe në RTK e në TV-të tona nacionale. “Ndërkaq kam marrë pjesë edhe në shumë koncerte humanitare”.
Aktualisht, ai ka realizuar videospotin për këngën "Moshatarja". “Është një klip që sjellë diçka origjinale. Ky ka qenë edhe pretendimi im, që së bashku me produksionin "Omega" nga Struga e kemi realizuar”, përderisa thotë se xhirimet janë bërë në Ohër dhe Frankfurt”. Orkestrimi i këngës është bërë Xhevdet Gashi, ndërkaq teksti i këngës është bërë nga Aida Baraku.
Këngët përmblidhen në një album
Tolaj thotë se deri në këtë kohë ka bashkëpunuar vetëm me profesionistë. “Natyrisht se përveç këtyre, unë kam edhe një mori këngësh të tjera të realizuara dhe incizuara me tekstshkrues e kompozitorë në zë si: Mentor Thaqi (tekstshkrues), të cilin e falënderoj shumë për kontributin e tij dhe i jam mirënjohës. Pastaj me Aida Baraku dhe Armend Rexhepagiqi (tekstshkrues dhe kompozitor), kompozitorët e shumë mirënjohur si: Riza Dolaku, Xhevdet Gashi, Ilir Tolaj. Të gjitha këto këngë do të përmblidhen në një album”.
Kënga “Moshatarja”