“Prezantova rezultatet e Shqipërisë në të gjitha fushat”

Fjalimi në asamblenë e OKB
Kryeministri Berisha ka theksuar se në sesionin e 66-të të OKB-së u arrit një marrëveshje e përbashkët me 46 objektiva që sipas tij do të shndërrohen në objektivat e të gjitha institucioneve të këtij vendi. Berisha tha se njohu të pranishmit me përpjekjet e suksesshme të shqiptarëve për shfrytëzuar lirinë dhe vlerat e saj gjatë këtyre 20 viteve, ritmet më të shpejta të zhvillimit se çdo vend tjetër, rezultatet e Shqipërisë në të gjitha fushat.
“Tjetër moment kulmor ishte fjala që mbajta në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në këtë fjalë, unë njoha përfaqësuesit e vendeve të këtij planeti me përpjekjet e suksesshme të shqiptarëve për shfrytëzuar lirinë dhe vlerat e saj gjatë këtyre 20 viteve, ritmet më të shpejta të zhvillimit se çdo vend tjetër, rezultatet e Shqipërisë në të gjitha fushat. Theksova se ekonomia shqiptare falë modelit të kësaj mazhorance është ndër më të paktat në botë që nuk ka njohur recesionin. Dhe e vërteta është se ky model po bëhet gjithnjë e më i njohur në mbarë botën. Është një surprizë e madhe fakti që në rast se investimet e huaja në botë janë ulur me 37 për qind nga viti 2007 në vitin 2010, në Shqipëri janë rritur me 316 për qind sipas të njëjtit burim, sipas UNCTAD. Rritja me 300 për qind e eksporteve në një hark të shkurtër kohor, mbi dhjetëfishimi i penetrimit në internet, pasi vetëm në zyrat postare të këtij vendi brenda një harku kohor 6 mujor lundruan në internet 2.1 milionë shqiptarë. Jemi nga të paktat vende që shërbejmë internet falas për popullatën. Impresionant është fakti se në rast se liria ekonomike e botës ka njohur prapaktheu në vitin 2010, në Shqipëri, sipas kësaj organizate, është rritur me 16 për qind. Nuk ishte i vetmi qëllim kryesor i fjalës sime ekspozimi i arritjeve të Shqipërisë në fushën e arsimit, në funksionimin e demokracisë, të zgjedhjeve të lira, por unë njoha audiencën me dy drejtime, ndër më themeloret e kësaj qeveria për zhvillimin e vendit. Shqipëria vend i zhvilluar, deklarova unë në Asamble, është ëndrra e çdo shqiptari. Vend i zhvilluar me një kusht vendimtar, zhvillim të qëndrueshëm. Qeveria shqiptare studion çdo hap në mënyrë që të garantojë zhvillim të qëndrueshëm, në mënyrë që zhvillimi i këtij vendi të mos rrënojë, të mos kërcënojë, të mos errësojë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe gjeneratave që vijnë. Ne po punojmë si asnjë vend tjetër për tu shndërruar në superfuqi të vogël energjetike të energjisë së rinovueshme në rajon. Dhe ky është një realitet ndër më fatlumët në historinë e vendit. Janë mbi 40 hidrocentrale në ndërtim e sipër, janë mbi 220 të lincensuar me konçension, janë një numër jo i vogël që kanë përfunduar ose përfundojnë së ndërtuari, përveç potencialit të madh të energjisë, erës dhe atij diellor ndaj të cilit jemi të hapur, ashtu sikurse edhe ndaj gjeotermikut. Pra ne, po zhvillohemi mbi parimet më të qëndrueshme të zhvillimit. Nuk ka dyshim që një problemet më madhore të kësaj kohe dhe të këtij planeti është ndryshimi i klimës. Kjo rrugë që ndjekim ne, është rruga e kontributit tonë modest në uljen e emetimeve”, tha kryeministri.
Ai vlerësoi takimin me ish presidentin Bill Klinton gjatë punimeve të forumit “Qeverisja me Transparencë”, i cili organizohej nga vetë ish kreu i Shtëpisë së Bardhë. Kryeministri theksoi se një tjetër dimension i rëndësishëm i vizitës së tij në Nju Jork, ishte ai i orientuar drejt biznesit, ku për herë të parë u organizua forumi i biznesit shqiptaro-amerikan. Në këtë takim ishin të pranishëm qindra drejtues korporatash, zyrtarë të administratës, përfaqësues kryesorë të biznesit amerikan, si Google, Coca Cola etj,. Kryeministri foli dhe për pjesëmarrjen e tij në mbylljen ditore të bursës më të fuqishme të botës, NASDAQ.
“Thuhet se në ujërat e një lumi nuk lahesh dot dy herë. Por, si për çdo gjë në këtë botë, ndonjë përjashtim edhe ekziston dhe ju e dini këtë gjë. Ky përjashtim më ndodhi mua me NASDAQ. Ftesa që bursa më e fuqishme e globit, më transparente, në të cilën janë të listuar 3500 kompani që ndryshojnë çdo ditë botën, ishte për mua një rast i jashtëzakonshëm. Ftesa për Shqipërinë, për të mbyllur bursën e NASDAQ, në një kohë krize botërore, kishte simbolikën më të madhe. Sheshi dhe kulla ishin të dekoruara, me reklama elektronike, nga bukuritë magjepsëse të Shqipërisë dhe krye bukuria e saj që është flamuri shqiptar, më i bukuri flamur në botë. Ky ishte një moment shumë emocionues. Zoti e deshi që pas shtypjes së atij butoni, u dëshmua që NASDAQ ishte me fitim. Flamuri shqiptar valëvitej lart. E vërteta është që kjo gjë ma dyfishoi gëzimin, Shqipëria ishte mbarësia aty”, tha Berisha.
Kërkesa palestineze në OKB
“Çështja më kryesore e Asamblesë ishte natyrisht çështja e konfliktit Izraelito-Palestinez. Ne siç dihet kemi mbështetur dhe mbështesim dy shtete të pavarura, për ne janë dy kombe mike, si kombi hebre dhe kombi palestinez. Ne mbështesim plotësisht të drejtën e kombit palestinez, për shtetin e vet të pavarur. Por ne besojmë, se është absolutisht interesi jetik dhe më i mirë i vetë palestinezëve, i rajonit dhe paqes në tërësi zgjidhja me dialog dhe mirëkuptim, jemi të vetëdijshëm se udhëheqja palestineze ka arsye për të qene e frustruar, sepse sakrificat e tyre janë lumenj të tërë, por jemi gjithashtu të bindur se qytetarët palestinezë, burrat, gratë, fëmijë dhe të gjithë kanë nevoje jetike për një zgjidhje te qëndrueshme. Përgjegjës kryesor për sigurinë ne botë janë SHBA-të. Qeveria shqiptare ka votuar dhe do të votojë së bashku me mikun dhe aleatin e saj të madh, të gjitha problemet e mëdha të sigurisë në botë, ndaj dhe ne nuk mund të votonim këtë rezolutë”.
Reforma zgjedhore, mazhoranca e gatshme për bashkëpunim me opozitën
“Dua të theksoj se po bëhet progres dhe jam i bindur se do të ketë progres në bashkëpunimin në reformën zgjedhore, ku mazhoranca ka qenë gjithnjë e hapur dhe mbetet e hapur të punojë me opozitën dhe të gjithë faktorët e rëndësishëm të kësaj shoqërie për të adresuar një nga një të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR të dy zgjedhjeve të fundit”.
Rregullorja e parlamentit është sipas standardeve evropiane
Për sa i përket rregullave të Parlamentit duhet të garantoj çdo shqiptar, se ndonëse rregullorja e këtij parlamenti është në standardet më të larta demokratike, ne jemi të hapur për ta konfrontuar atë nen për nen, me rregulloren e Parlamentit Evropian dhe standardet më të larta të Evropës dhe të botës që ekzistojnë. Ky është dhe qëndrimi ynë. Uroj dhe shpresoj që nga këto standarde të udhëhiqet dhe frymëzohet dhe opozita në parlamentin e vendit.