E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Do t‘i monitoroj lumenjtë nga afër

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njoftoi dje se ka diskutuar me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dhe synon të monitorojë nga afër situatën e prurjeve hidrike në kaskadën e Drinit me qëllim që të shmangë përmbytjet e mëtejshme në zonën e Lezhës.

Reshjet e fundit masive kanë rritur nivelin e Fierzës në 284 metra mbi nivelin e detit, saktësisht 12 metra nën nivelin maksimal. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, grupi punës, i cili do të drejtohet nga zëvendësministri Leonard Beqiri, do të informojë Kryeministrin një herë në katër ore mbi situatën hidrike në kaskadë.

Por ekspertet e energjetikës thonë se probabiliteti që Fierza të arrijë pikën maksimale mbetet i ulët dhe i konsiderojnë këto masa të Ministrisë së Ekonomisë si paraprake për të mos qenë të papërgatitur në rast të një situate të jashtëzakonshme.

Në të shkuarën ka ndodhur që mosmenaxhimi i duhur i kaskadës së Drinit ka sjellë mbingarkesë në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe derdhjen e ujit pa prodhuar energji. Hapja e portave të shkarkimit të Vaut të Dejës, rrezikon të shkaktojë edhe përmbytje masive në zonën e Lezhës.

"Duke vlerësuar situatën e rënduar hidroenergjetike për shkak të reshjeve të ditëve të fundit, dhe në zbatim të rregullores të shkarkimit të flotave në hidrocentralet e Vaut të Dejës, Komanit e Fierzës, ministri Prifti ka ngritur grupin e posaçëm të punës për të monitoruar 24 orë situatën, për të mos pasur probleme në sistemin hidroenergjetik. Ky grup pune i përfaqësuar nga zv.ministri i Energjetikës, Leonard Beqiri, do të analizojë situatën e krijuar në hidrocentrale pas rënies së shirave ditët e fundit", deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë, Matilda Merxhani.

Fusha e Lezhës dhe zonat përreth u përmbytën rregullisht për më shumë se një dekadë, si pasojë e bllokimit të kanaleve kulluese dhe mbushjes së shtratit të Drinit me mbetje të ngurta. Një projekt i financuar nga Banka Botërore e përmirësoi ndjeshëm situatën gjatë viteve të fundit përmes thellimit të shtratit të Drinit dhe pastrimit në kanalet kulluese, por vështirësitë u rikthyen sërish këtë vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›