E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva, studentët bllokojnë portën e Bujqësorit

Sot në ditën e gjashtë të protestës, studentët e Bujqësorit do të bllokojnë hyrjen kryesore të universitetit. Bashkë me familjarët e tyre, studentët sot do të përpiqen të solidarizojnë edhe "kolegë" të tjerë të universitetit, duke kërkuar më shumë vëmendje nga dekanati dhe autoritetet arsimore. "Do të bllokojmë hyrjen kryesore të universitetit, do të jenë studentët grevistë, të tjerë të cilët janë bashkuar me kërkesat e tyre dhe familjarët tanë", ka thënë organizatori i grevës, Entel Agolli. Sipas tij, menjëherë pas organizimit të protestës paqësore në ambientet e shkollës, ata do të spostohen në qendër të Tiranës, për të vazhduar tubimin para Kryeministrisë.

Studentë e prindër me pankarta në duar do të kërkojnë para zyrës së Kryeministrit plotësimin e kërkesave të tyre për të vazhduar programin e dytë të studimit DND, pa kaluar më parë në "sitën" e mesatares.

Gjendja shëndetësore e grevistëve ka ardhur duke u përkeqësuar. Pas ditës së tretë të grevës, studentët 20-vjeçarë janë ndier të këputur dhe të lodhur. Përgjatë këtyre ditëve, një pjesë e tyre janë shoqëruar në shërbimin e infektivit në spitalin "Nënë Tereza". Ndërkohë që një autoambulancë qëndron aty çdo ditë për t‘i shoqëruar ata në spital, në rast se gjendja e tyre përkeqësohet. Dy mjekë vizitojnë dhe mbajnë nën kontroll situatën shëndetësore të 15 studentëve grevistë. "Në rast se nuk do të ketë asnjë reagim nga dekanati dhe nuk do të merren parasysh kërkesat tona, ne jemi të vendosur, bashkë me grupin do të bashkohen edhe studentë të tjerë", thanë grevistët. Veç përfaqësueses së Partisë Socialiste, Enkeleda Shkreli, asnjë profesor, apo përfaqësues nga arsimi nuk i ka takuar ata për bisedime për të diskutuar rreth zgjidhjeve alternative.

Para nisjes së grevës së urisë, studentët e Universitetit Bujqësor, përkatësisht dega e Politikave Agrare dhe Agrobiznesi, kanë takuar zëvendësministren e Arsimit dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e ministrisë për të nisur negociatat me drejtues të Universitetit Bujqësor, në mënyrë që mesatarja të mos bëhet pengesë e vazhdimit të studimeve për 200 studentë.

Studentët kërkojnë vazhdimin e studimeve në nivelin e dytë, sipas Kartës së Bolonjës. Por, drejtuesit e këtij universiteti kanë vendosur një mesatare pranimi, si kusht për kalimin në nivelin e dytë. Studentët kërkojnë të ndjekin studimet e ciklit dyvjeçar, për të marrë një diplomë të nivelit të dyte të integruar, kjo në përputhje me sistemin e Bolonjës. Të rinjtë paralajmërojnë se do të rrinë të ngujuar deri në fund të zgjidhjes së kërkesës së tyre, kjo pasi cikli trevjeçar që ata kanë përfunduar aktualisht nuk njihet nga tregu i punës si diplomë. Aktualisht kanë të drejtë të vazhdojë studimet e nivelit të dytë vetëm 36 studentë, ndërkohë që janë edhe 150 të tjerë, të cilët kërkojnë të ndjekin këtë sistem.

Dy ditë më parë dikush ka dashur t‘i largojë nga ambientet e grevës, duke përdorur ndërprerjen e energjisë elektrike, si masë për të shkaktuar humbjen e durimit. Por pavarësisht kësaj askush nuk ka menduar të largohet nga greva, edhe pse në kushte të vështira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›