E Diel, 1 Nëntor 2026

Trualli në qendër, ankohen pronarët dhe investitorët

Ajo që dihet me siguri është që sheshi ndodhet në mes të kryeqytetit. Ministria e Transportit thotë që prona është shtetërore, ndërsa bashkia thotë që është truall privat. Të dyja palët tregojnë dokumente, të cilat vërtetojnë fjalët e tyre, ndërkohë që pak ditë më parë në këtë shesh u inaugurua një lulishte. Për të ministri i Transportit, Olldashi, sqaroi se kënaqësinë për të vendosur qershinë mbi tortë po ia linte kryebashkiakut. "I kemi lënë një vend në këtë lulishte për të mbjellë një kumbull të kuqe", tha Olldashi. Ndërkohë që Kryeministri për këtë truall tha që do të shitej në ankand me vlerën mbi 115 milionë euro. Deklarata e fundit që është dhënë për këtë shesh ishte dje nga administratori i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli. Sipas tij, duke u nisur nga deklaratat e qeverisë, pronarët e truallit dhe investitorët që kanë marrë të drejtën për të vazhduar punën në këtë territor kanë depozituar ankesat e tyre pranë Bashkisë së Tiranës. "Dje, ministri paraqiti disa dokumente zyrtare të Bashkisë së Tiranës. Ne deklarojmë se dje ministri, në rastin më të mirë, nëse është i keqinformuar nga vartësit e vet, ka gënjyer dhe në rastin më të keq, nëse e ka bërë me dashje, ka shpifur", sqaroi Agolli. Sipas tij, ministri nuk e ka lexuar deri në fund shkresën, pasi vetëm një rresht më poshtë citohet që pasuria 2/94 është pronë private. "Qeveria rrëmon nëpër skuta, të nxjerrë ndonjë letër apo foto, për të thënë që prona është shtetërore. Bashkia po ju paraqet, për të disatën herë, dokumentin e vetëm zyrtar që njeh të drejtat mbi pronën, që janë certifikatat e pronësisë, lëshuar nga Hipoteka për pronarët Kika dhe Komuniteti Mysliman", thekson Agolli. Sipas tij, penalitetet për këto veprime arbitrare dhe antiligjore, sipas ankesës së depozituar nga pronarët dhe investitorët, llogariten në miliona euro, miliona që do të rëndojnë mbi buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë.

L.Mixha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›