E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: E ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ashtu siç dhe i gjithë rajoni

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti mori pjesë sot në takimin e Ministrave të Tregtisë të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Në këtë takim, i cili u mbajt në Stamboll të Turqisë, ministri Prifti shoqërohej nga nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço. Takimi në fjalë u hap nga ministri i Turqisë për Tregtinë e Jashtme, Zafer Caglayan, me të cilin Dritan Prifti zhvilloi edhe një takim. Ndërkohë në fjalën e tij, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës paraqiti një tablo të zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe theksoi se, “Shqipëria paraqitet sot si vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Evropë dhe me një mjedis të përshtatshme për biznesin, pasi është vendi që ka dhe taksat më të ulëta në Evropë”. Ai vlerësoi rritjen ekonomike të vazhdueshme dhe deklaroi se, Shqipëria ka një rritje të pritshme ekonomike 5 për qind për vitin 2010. Ndërkohë, duke iu drejtuar Ministrave të Tregtisë dhe grupeve të mëdha të biznesit të pranishëm në takim, ministri Prifti u shpreh se, “Shqipëria është një vend i shkëlqyer për investime dhe fitime dhe në këtë drejtim është vendi më miqësor për investimet e huaja”. Ministri përmendi në këtë drejtim dy nga institucionet e krijuara në ndihmë të biznesit dhe reduktimit të burokracive, si Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe Qendra Kombëtare e Licencimit, ndërkohë tha se një ndër objektivat për ekonominë e vendit tonë është dyfishimi i eksporteve në vitin 2010. “ Një mjedis më i përshtatshëm për biznesin, si ulja e taksave, zbutja e burokracive, ekonomia e hapur, tregu i lirë, etj., kanë qenë mekanizmi i zhvillimit dhe i rritjes ekonomike në vend”, u shpreh Prifti. Në fjalën e tij, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës foli edhe për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe u shpreh se, e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian, ashtu siç është dhe e ardhmja e gjithë rajonit. Në përfundim të takimit, ministrat e Tregtisë firmosën një Deklaratë të Përbashkët, me anë të së cilës synohet rritja e bashkëpunimit ekonomik në rajon. Kjo Deklaratë e Përbashkët pritet të rrisë investimet në rajon dhe kërkon liberalizimin e vizave për biznesin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›