E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Importin e energjisë s’e bën qeveria, por OSSH-ja

Ministri: Jam dakord për rritje të çmimit të energjisë, por vendos ERE

Situata hidrike mundëson eksportin e energjisë

Çmimi i energjisë do të rritet, që kompania të përballojë koston dhe shpenzimet e saj. Kështu ka deklaruar dje ministri Prifti, duke pohuar se është dakord të rritet çmimi i energjisë, por gjithsesi ky është një vendim që e merr ERE dhe jo qeveria. Ndërsa nga ana tjetër, ai ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga PS lidhur me importin e energjisë elektrike, duke informuar se importi i energjisë tashmë bëhet nga kompania e OSSH-së, e cila është privatizuar. Nga ana tjetër, Prifti pranoi se situata e mirë hidrike krijon mundësinë e eksportit të energjisë elektrike. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka ndjekur me vëmendje akuzat e opozitës në lidhje me “abuzimet në importin e energjisë elektrike” dhe “monopolin e importit të energjisë nga qeveria”. Ministri Prifti ka sqaruar se që mbas privatizimit të OSSH-së nga kompania çeke CEZ, qeveria shqiptare nuk ka detyrë dhe përgjegjësi për të siguruar importin e nevojshëm për OSSH. Me marrëveshjen e privatizimit, kjo përgjegjësi dhe detyrë i ka kaluar operatorit privat OSSH. Prifti sqaroi se OSSH-ja private ka detyrim të blejë energji për të mbuluar gjithë humbjet e sistemit të shpërndarjes. Kjo përgjegjësi shkon në blerjen e deri 2.5 miliardë kv/orë në vit. Asnjëherë Shqipëria nuk ka pasur nevojë dhe nuk ka blerë më shumë se 2.5 miliard kv/orë në vit. Pra, për ta kuptuar të gjithë: importin e energjisë elektrike nuk e bën qeveria sot, por OSSH-ja e privatizuar. “Për ata që shpifjen e kanë kthyer në profesion, po informoj se dhe me parë importi i energjisë elektrike është bërë me tender të hapur ndërkombëtar, ku kanë marrë pjesë mbi 25 kompani nga gjithë Evropa”, - tha Prifti. Më pas ai ka përmendur kompanitë pjesëmarrëse, të cilat kanë qenë AEM, APT Energjia Hellas, ATEL, CEZ, CNR, EDF, EFT, EGL, EPCG, EPS, ESPADA, GEN-I, GSA, HEP, HSE, KEK, Montmontaza, PÇ, PPC, RE trading Cë, RUDNAP, SAVK Elec Energy, Statkraft, TG alba, Verbund etj. Kompanitë që janë shpallur fituese gjatë viteve janë ATEL, EFT, EGL, RUDNAP, GSA, GEN-I, RE, CEZ, ESPADA, VERBUND. Edhe tenderat që ka bërë muajt e fundit kompania private, OSSH, kanë nxjerrë fituese të njëjtat kompani si EFT, GEN-I, RUDNAP, CEZ etj. Prifti tha se kryesisht kompanitë që kanë fituar tenderat e energjisë nuk kanë pasur kontratë për sasi energjie më shumë se 20% e nevojës. Ka qenë strategji e jona, por dhe e OSSH-së private, që kontratat e furnizimit me energji nga importi të ndahen mes disa ofertuesve, për të garantuar sigurinë e furnizimit dhe eliminuar varësinë nga kompani të veçanta. Prifti nënvizoi se qeveria me privatizimin e OSSH-së ka pasur qëllim të heqë prej vetes detyrën e importit të energjisë elektrike dhe e realizoi me sukses këtë qëllim. Jo vetëm që nuk vazhdojmë të japim nga buxheti i shtetit rreth 60 milionë euro në vit për blerjen e energjisë, por tani blerjen që kushton rreth 100 milionë euro në vit e bën kompania private OSSH, mbi të cilën qeveria nuk ka asnjë ndikim. “Në marrëveshjen e privatizimit të OSSH, kontratat e blerjes së energjisë nga importi kontrollohen detyrimisht nga Enti Rregullator i Energjisë, për të garantuar që çmimet janë në nivelin e tregut rajonal dhe procedurat e tenderit janë të rregullta. METE është e hapur për informacione dhe transparence ndaj çdokujt që dëshiron të dije më shumë për këtë proces, dhe përgjithësisht për punën e këtij dikasteri. Nuk është normale që në kushtet e kësaj mundësie për të marre informacion, opozita shqiptare shpif dhe trillon akuza që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin”, - tha Prifti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›