E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Kam besim tek OSSH-ja, do të investojë 200 milionë euro

Deklaratat Ministri i Ekonomisë flet për faturat dhe energjinë nukleare

Pas kritikave të lëshuara nga politika e majtë dhe e djathtë, madje dhe nga Enti Rregullator, ia ku vjen një mbështetje jo pak e rëndësishme për OSSH-në, nga ministri i Ekonomisë. Në konferencën e djeshme për shtyp, kreu i Energjetikës, Dritan Prifti, ka sqaruar situatën e krijuar mes OSSH-së, ERE-s dhe abonentëve, duke garantuar se në të ardhmen e afërt, shërbimi do të ndryshojë për mirë. Sipas tij, planet e OSSH-së për investime kapin vlerën e mbi 200 milionë eurove, ndërsa është vendosur që procesi i matësve të përfundojë brenda muajit qershor të këtij viti. “Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz që janë skeptikë për privatizimin e OSSH-së. Kompania është duke bërë investime në sistem me një shumë prej 60 milionë eurosh. Besoj se në muajt e ardhshëm ne do të shohim një kompani edhe më shumë eficiente. Kompania është në proces të marrjes së një kredie nga BERZH dhe IFC-ja që i kalon mbi 200 milionë eurot. Kjo kredi do të përdoret për investime vetëm në Shqipëri”, tha dje Prifti. Ministri shtoi se OSSH-ja është duke negociuar dhe mbyllur disa kredi të reja me bankat e nivelit të dytë në Shqipëri që shkojnë diku tek 20-25 milionë euro. Ministri preku edhe çështjen e mbifaturimit, duke garantuar rimbursimin e dëmit çdo qindarkë. ”Ka pasur një mbifaturim për disa ditë të fundit të muajit dhjetor për një grup të caktuar konsumatorësh. OSSH-ja për këtë ka marrë një vendim të saj, ku do të rimbursojë të gjitha mbifaturimet e bëra. Në fakt, për hir të së vërtetës, nuk ka qenë asnjë gjë e qëllimshme e bërë nga kompania, por ka qenë një mbifaturim, që ka ndodhur gjithmonë në Shqipëri”, tha Prifti.

Sa i takon centralit bërthamor energjetik, ministri konfirmoi edhe një herë faktin se vijon të mbetet në planet e qeverisë, por asgjë më shumë. “Kemi krijuar para disa muajsh Agjencinë Atomike që do të merret me të gjithë kuadrin ligjor dhe monitorimin e investimeve bërthamore. Unë nuk mund të them që realiteti i një centrali bërthamor në Shqipëri është shumë i afërt, sepse ne kemi kohë për t’u përgatitur”, u shpreh kreu i Energjetikës. Kërkesat për zhvillimin e energjisë bërthamore në Shqipëri vijnë çdo ditë, pra ka një interes të lartë, tha ministri, por pa dhënë më shumë detaje.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›