E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokim aktiviteti dhe llogari bankare për 660 biznese të mëdha

Masat

Subjektet e biznesit të madh në Fier regjistrojnë një borxh në shifra të larta. Prej disa ditësh këto subjekte debitore janë duke u përballur me sanksione të forta, si bllokim aktiviteti, numrin e llogarisë bankare deri dhe ndjekje penale. Zyrtarisht burime nga dega tatimore Fier deklarojnë për “Shqip” se 660 biznese të mëdha janë debitore në vite dhe kanë krijuar një debi që shkon në shumën e 280 milionë lekëve të reja. Drejtori i departamentit të mbledhjes së borxhit pranë Drejtorisë së Tatimeve Fier, Bujar Jazaj, ka pohuar se “numri i lartë prej 660 biznesesh nuk i përket vetëm vitit 2009, por i akumuluar me kohë të gjatë, sikurse dhe shuma e detyrimit”. Jazaj ka thënë se një nga format për të detyruar bizneset debitore për të shlyer borxhet ka qenë bllokimi i aktivitetit të tyre dhe bllokimi i numrit të llogarisë në bankat ku ata operojnë. “Madje, kemi aplikuar edhe metodën e ndërprerjes së disa shërbimeve për këto biznese debitore. Kështu nuk po lejojmë që ato të kryejnë transaksione bankare apo dhe pagesa të ndryshme, ndërkohë që falë një bashkëpunimi me Drejtorinë e Automjeteve po i pengojmë këta debitorë që të rinovojnë dokumentet, apo dhe të targojnë mjete të reja”, ka thënë ai. Në degën e Fierit, rreth 230 bizneseve u është bllokuar numri i llogarisë, ndërkohë që katër të tjera kanë shkuar për ndjekje penale.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›