E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi mban të shkarkuarit në qeveri

Prishtinë Pajaziti pritet të emërohet zv.ministër. Arsim Bajrami nuk pranon

Kryeministri Hashim Thaçi ka vendosur të mos i lërë jashtë funksioneve qeveritare ministrat e PDK-së, të cilët i ka shkarkuar para dy ditësh. Zyrtarë të lartë të PDK-së kanë bërë të ditur se ish-ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, do të sistemohet në postin e zëvendësministrit për Integrime. Kjo ministri, që i është besuar Besim Beqajt, pritet të ketë edhe një zëvendës tjetër që konsiderohet më i afërt me LDK-në, e ai do të jetë Dardan Gashi. Ish-ministri Pajaziti, të premten, nuk e ka mohuar e as pohuar se do ta marrë këtë post, por ka shprehur vullnetin për të qenë sërish pjesë e qeverisë. Pajaziti dhe Gashi nuk pritet të jenë risitë e vetme në qeveri. I shkarkuari nga posti i ministrit të Administratës Publike, Arsim Bajrami, nuk ka ndërmend të pranojë asnjë ofertë për ndonjë post tjetër në qeverinë e Kosovës. Ndonëse jo para kamerës, Bajrami i ka thënë “Kohavisionit” se ai nuk e ka do që t’i të prish parimet e veta dhe ka vendosur të refuzojë çdo ofertë. Por ndryshe nga Bajrami synon i shkarkuari tjetër nga posti i ministrit të Brendshëm, Zenun Pajaziti. I kontaktuar nga KTV-ja, Pajaziti tha se ka oferta dhe është duke i shqyrtuar ato dhe se duket se ai do ta marrë postin e zv.ministrit të Integrimeve Europiane.

Motivet

Dy ditë pas emërimeve të reja, Kryeministri Hashim Thaçi nuk ka dhënë detaje bindëse për largimin e ministrave që tashmë kanë bërë dorëzim-pranimin e posteve ministrore.

Ai ka thënë se “arsyen e largimit të tyre e di vetëm Kryeministri”. Kreu i ekzekutivit ka thënë të premten, pas mbledhjes së qeverisë, se procesi i vlerësimit të punës së secilit ministër ka qenë jo i shkurtër. “Ju e dini se ka qenë një proces jo i shkurtër. Ka qenë një proces i një vlerësimi të gjithanshëm, i konsultuar, por edhe i vlerësuar në nivelin profesional, politik dhe qeverisës, me vlerësimin e punës së suksesshme. Por natyrisht tashmë jemi dy vjet pas pavarësisë dhe nevojat, kërkesat janë rritur dhe kërkohet rritje e efektivitetit në qeveri”, ka thënë Thaçi. Ai nuk ka pranuar ta ketë shpërblyer Lutfi Hazirin me postin e ministrit të Kulturës për rezultatin e zgjedhjeve në Gjilan, duke thënë se nuk dëshiron të merret me spekulime dhe me komentime në baza partiake. “Unë as nuk shpërblej, as nuk ndëshkoj. Unë vlerësoj punën e secilit ministër që punon në qeverinë time dhe nuk merrem me vlerësime të pozicioneve të njerëzve në baza partiake apo të opinioneve që mund të paraqiten. Kështu që unë këtu prezantoj qëndrimin e qeverisë së Republikës së Kosovës, prezantoj opinionin tim se të emëruarit në dikasteret e veçanta kanë përgjegjësi shtesë në thellimin e reformave dhe rritjen e suksesit”, është shprehur Thaçi. Kreu i ekzekutivit të vendit nuk ka dashur të merret shumë me akuzat e ditëve të fundit nga ana e opozitës, e cila riformatimin e ka konsideruar si rritje edhe më të madhe të korrupsionit. Ndryshe, në këtë mbledhje të qeverisë, Thaçi ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë me mekanizmat ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe opozitën për të mirën e qytetarëve të vendit dhe të ardhmes së Kosovës, duke shkurtuar shpenzimet e panevojshme dhe duke investuar në drejtime të dobishme për qytetarët e Republikës së Kosovës. Duke vazhduar angazhimet në procesin e integrimeve europiane, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për themelimin e Ministrisë për Integrim Europian, e cila do të jetë përgjegjëse për bashkërendimin e procesit të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Europian. Agjencia për Koordinimin e Zhvillimit dhe Integrimit Europian, me miratimin e këtij vendimi do të shkrihet në kuadër të kësaj ministrie. Fushëveprimi, kompetencat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Integrimit Europian do të përcaktohen me akt të veçantë juridik.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›