Prifti merr në mbrojtje vjedhjet e OSSH
Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti është shprehur i kënaqur me punë e Operatorit të Shpërndarjes edhe faktin se OSSH pranoi gabimin për mbifaturimet e qytetarëve madje edhe për privatizimin e këtij sektori nga kompania ceke CEZ. Kreu i Ministrisë së Ekonomisë i ka dhuruar edhe dy muaj kohë OSSH për vendosjen e matësve duke shtyrë afatin deri në fund të qershorit.
Ndërkohë që Enti Rregullatori i Energjisë i ka dhënë edhe një muaj kohë operatorit të shpërndarjes së energjisë për vendosjen e 80 mijë matësve në të gjithë vendin. Në një deklaratë për mediat Prifti u shpreh se Unë jam i kënaqur që OSSH ka treguar gatishmërinë për të qenë mirëkuptuese për kompensimin e mbifaturimit sepse në fakt gabimi ka qenë i tyre, pavarësisht me qëllim apo jo, të cilin ata e kanë njohur dhe janë të gatshëm për dëmshpërblim. Për sa i përket faturimit aforfe, Enti Rregullator i Energjisë ka kompetencën për ta lejuar apo për të mos e lejuar faturimin aforfe. Sipas informatave të mia faturimi aforfe do të jetë i lejueshëm, ta paktën deri në muajin qershor dhe mbas kësaj periudhe kompania nuk do të lejohet më që të faturojë aforfe. Nëse do të ketë faturime aforfe kompania do të gjobitet shumëfish nga ERE. Kemi bërë një lëshim, sepse kompania e kërkoi që i duhej edhe pak kohë për instalimin e matësve që nuk janë instaluar akoma. Në fakt kompania po instalon rreth 15 mijë matës në muaj dhe parashikohet që brenda muajit prill të mos mbetet asnjë konsumator pa aparatin matës, deklaroi dje Prifti.
Privatizimi
Unë për vete nuk hyj tek ata njerëz që janë skeptikë për privatizimin e OSSH-së. Kompania është duke bërë investime në sistemin matës me një shumë prej 60 milion euro. Ata janë duke e përshtatur atë me Shqipërinë, me kompaninë e tyre që kanë blerë deklaroi në një deklaratë për mediat Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti. Sipas tij kompania është në proces të marrjes së një kredie nga BERZH dhe IFC-ja që i kalon mbi 200 milion euro dhe kjo kredi do të përdoret për investime vetëm në Shqipëri. Unë jam optimist për këtë privatizim dhe besoj se konsumatori shqiptar në muajt në vazhdim do të ketë një kompani edhe më shumë eficiente, tha dje Prifti.
Mbifaturimi
Sipas punonjësve në zyrat rajonale numri u ankesave nga qytetarët sa vjen edhe shtohet, madje ankesat kanë arritur nga 50 deri në 70 raste në ditë. Këto raste në pjesën më të madhe të tyre kanë të bëjnë me problemin e mbifaturimit të energjisë elektrike pasi kjo shkelje jo vetëm që nuk reduktohet nga OSSH por sa vjen edhe thellohet. Çdo ditë gjendja sa vjen dhe përkeqësohet pasi numri i qytetarëve është gjithnjë e në rritje Shprehen specialistë në një prej zyrave rajonale që ndodhet pranë pallateve Agimi. Qytetarët që kërkojnë zgjidhjen e problemit me mbifaturimit e energjisë elektrike deklarojnë se Që prej disa ditësh ata enden sa në një zyrë në tjetrën për të bërë ankesat e faturave dhe asnjë masë nuk është marrë deri tani
Bizneset
Rreth 130 mijë biznese janë përballur muajt e fundit me rritjen e çmimit të energjisë. Fatura e energjisë elektrike është rritur me 25 për qind pas miratimit të Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit. Kjo rritje është pasqyruar direkt edhe te konsumatorët, pasi është pasqyruar në rritjen e të gjithë çmimeve në treg. Kështu konsumatorët familjar përveç rritjes prej 13 për qind të çmimit të energjisë që konsumojnë në familje do të duhet të përballojnë rritjen e çmimit të energjisë në mënyrë indirekte për pjesën që ju faturohet nga shërbimet apo produktet qe konsumojnë. Sipas përllogaritjeve çmimi i energjisë është rritur me 38 për qind por kjo vlerë i vilet konsumatorëve me dy fatura. E para është ajo e kilovatëve të konsumuar dhe e dyta gjendet në rritjen e çmimet që do të aplikojë biznesi për shërbimet dhe produktet. Menjëherë pas propozimit të OSSH për rritjen e çmimit të energjisë bizneset kanë paralajmëruar rritjen e çmimeve jo vetëm për shërbimet por edhe për produktet.
Sistemi i matjes
Në janar të 2012 në Shqipëri do të aplikohet një sistem tërësisht i rinovuar matjeje. Lajmi është bëri i ditur dje nga kompania CEZ. Sipas kësaj të fundit mësohet se sistemi i ri do të instalohet për shkak të problemeve që paraqet sistemi aktual. Ndërkohë përveç se ka pranuar defektet e veta CEZ ka pohuar se ka konstatuar shumë vjedhje nga konsumatorët. Nga kontrollet e deritanishme të OSSH janë zbuluar edhe 5300 raste vjedhjesh të energjisë nga konsumatorët, në një vlerë prej 235 milionë lekësh. CEZ deklaroi se në Shqipëri aplikohet një sistem i keq faturimi që fillon nga problemet me pajisjet matëse të energjisë e deri te punonjësit që bëjnë faturimin.
Prifti: Nuk jemi gati për central bërthamor
Shqipëria nuk është gati as nga ana teknike dhe as nga ana ligjore për të ndërtuar central bërthamor. Kjo ka qenë deklarata ne Ministrit të ekonomisë në lidhje me projektet për ndërtimin e centraleve bërthamore në vendin tonë. Ne po punojmë për ta bërë Shqipërinë të gatshme për të zhvilluar edhe energjinë bërthamore. Kemi krijuar para disa muajsh Agjencinë Atomike që do të jetë agjencia, e cila do të merret me të gjithë kuadrin ligjor dhe pjesën monitoruese të investimeve bërthamore. Ajo është lidhur me agjencinë atomike të Vjenës dhe janë duke u bërë trajnime e shkëmbim eksperiencash mes dy agjencive. Unë nuk mund them që realiteti i një centrali bërthamor në Shqipëri është shumë i afërt, sepse ne kemi akoma kohë për tu përgatitur, për të krijuar të gjithë legjislacionin, për të krijuar një ekip të duhur që të njohë këtë lloj industrie, që të ketë mundësi që ta monitorojë këtë lloj industrie. Kërkesat e investitorëve për zhvillimin e energjisë bërthamore në Shqipëri vijnë çdo ditë, pra ka një interes të lartë. Në momentin që ne do të jemi gati, të përgatitur për ta garantuar publikun shqiptar për sigurinë e këtyre investimeve do të fillojmë që ti lejojmë për ti zhvilluar ato në vend, tha dje Prifti.