Të ardhurat në 2009 nga letrat me vlerë, 6 herë më pak se një vit më parë
Gjatë vitit 2009 janë arkëtuar 100 milion lekë më pak nga interesat e letrave me vlerë, krahasuar me vitin 2008. Ndërkohë që të ardhurat në total nga ky zë janë regjistruar 6 herë më vogla krahasimisht me të dy periudhat. Shifrat janë bërë publike në raportin vjetor
të Bankës së Shqipërisë ku pasqyrohet se gjatë vitit 2009 të ardhurat nga interesat e letrave me vlerë të tregtueshme ishin 239 milion lekë. Ndërsa në vitin 2008 nga ky zë janë arkëtuar 337 milion lekë. Sipas raportit mësohet në totalin e zërit të të ardhurave nga letrat me vlerë të tregtueshme neto janë regjistruar 138 milion lekë për vitin 2009 dhe 673 milion lekë për vitin 2008. Ndërsa në lidhje me bonot e thesarit të emetuara nga Ministria e Financave mësohet se në 31 dhjetor të vitit 2009 letrat me vlerë të emetuara nga kjo ministri për mbulimin e rezervës negative të rivlerësimit të monedhës të krijuara në periudhën 2003-2008 rezulton të jetë 18, 870 milion lekë me terma maturimi të rinovueshme çdo gjashtë muaj.
Rreziku i likuiditetit
Rreziku i likuiditetit është rreziku që nënkupton se Banka e Shqipërisë nuk do të jetë në gjendje të shlyejë detyrimet e lidhura me detyrimet financiare në kohën e duhur. Politikat e monitorimit dhe të adresimit të rrezikut të likuiditetit përcaktohen nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. BSH-ja administron rrezikun e likuiditetit nëpërmjet investimit në depozita afatshkurtra në bankat e huaja dhe investime në letra me vlerë të borxhit në tregje likuide dhe të sigurta. Qëndrimi i BSH-së në administrimin e likuiditetit është të sigurojë vazhdimisht likuiditet të mjaftueshëm për të shlyer detyrimet në kushte normale dhe të pafavorshme, pa pësuar humbje të papranueshme apo të rrezikojë të dëmtojë emrin e saj. Në të njëjtën kohë ajo duhet të operojë në përputhje me politikat monetare dhe të këmbimit. Portofoli përcaktohet çdo vit bazuar në parashikimet mujore dhe vjetore të nevojave për likuiditet për çdo monedhë. Investimet në letra me vlerë të borxhit konsiderohen si instrumente me likuiditet të mjaftueshëm. Lidhur me detyrimet në monedhë vendase, BSH-ja nuk është e ekspozuar ndaj këtij rreziku për shkak të karakterit të saj të një banke qendrore.
Rreziku i kreditimit
Rreziku i kreditimit është rreziku i pakësimit të vlerës së rezervës valutore për shkak të paaftësisë paguese ose zvogëlimit të cilësisë së kreditimeve të institucioneve financiare ose emetuesve të letrave me vlerë dhe instrumenteve në të cilat rezerva valutore është vendosur. Ekspozimi ndaj rrezikut të kreditimit administrohet nëpërmjet përcaktimit të kufijve mbi nivelin total të ekspozimit të lejuar ndaj institucioneve financiare dhe emetuesve të ndryshme. Kufijtë e ekspozimit llogariten bazuar në kriteret e kreditimit të kundërpartisë, të cilat janë të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Rreziku i kreditimit gjithashtu zvogëlohet nëpërmjet krijimit të një portofoli të larmishëm. Kreditë për bankat vendase sigurohen nga bonot e thesarit të Qeverisë. Operacionet e BSH-së janë të ekspozuara ndaj rrezikut të normave të interesit i cili ndikon në çmimet e aktiveve interesprurëse (duke përfshirë investimet) dhe detyrimeve që paguajnë interes. Objektivi kryesor i BSH-së është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve duke përcaktuar synimin e politikës monetare. BSH-ja e zbut këtë rrezik duke mbajtur një tepricë të konsiderueshme të aktiveve interesprurëse mbi detyrimet që paguajnë interes.
Ankandi, në shitje 11 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, nisi ankandin për shitje me ankand 11 miliardë lekë bono thesari të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankandin e Ministrisë së Financave, i cili u zhvillua në gusht, dalën për shitje bono thesari me maturim 12 e 6-mujor, përkatësisht në shumat 5,650,000,000 lekë dhe 5,350,000,000 lekë, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen respektivisht në 18.08.2010 dhe më 18.02.2010.
Bonot e thesarit
Bonot e thesarit dhe dëftesat tregtare janë titujt, të cilat detyrojnë emetuesin t'i paguajnë zotëruesit interesin brenda periudhës së miratimit. Bonot e thesarit emetohen nga Ministria e Financave në emër të shtetit shqiptar, kurse dëftesat emetohen nga persona juridikë. Si bonot e thesarit dhe dëftesat janë tituj afatshkurtër. Vendimi i emetimit të bonove të thesarit, dëftesave tregtare dhe obligacioneve shtetërore përmbajnë elementët: Vlerën totale të emetimit dhe atë nominale të çdo titulli, qëllimin për të cilin do të përdoren fondet e siguruara nga emetimi, mënyra e emetimit, norma e interesit dhe data e maturimit. Ndërkohë, bonot e thesarit dhe obligacionet shtetërore mund të blihen në tregun primar nga banka, institucione financiare, investitorë, persona juridikë e individë. Kurse, në tregun sekondar mund të blihen dhe shiten nga persona juridikë të tjerë, si dhe individë.
Investimet në letra me vlerë
Letra me vlerë veç blerjes në BSH, iu ofrohen individëve edhe në një pjesë të mirë të bankave të nivelit të dytë në të gjithë vendin, në atë që quhet treg sekondar. Në këtë treg individët dhe subjektet e tjera mund të blejnë bono thesari me afate të ndryshme, por me një interes më të ulët nga ai fillestar, pasi banka që kryhen transaksionin, rrëmben një pjesë të interesit. Një pjesë e bankave të nivelit të dytë realizojnë edhe transaksionin e kundërt, pra blejnë letrat me vlerë nga ana e individëve para afatit të maturimit. Një formë tjetër investimi janë edhe obligacionet qeveritare që kanë një afat më të gjatë maturimi (2 vjet ose më shumë ). Interesat që ofrohen për këto investime nga ana e Bankës së Shqipërisë që mbetet agjenti i qeverisë në transaksione, mbeten të larta. Për shkak të mungesës së një infrastrukture të favorshme, pjesëmarrja e indicidëve në blerjen e bonove të thesarit në selinë qendrorë të Bankës së Shqipërisë nuk është shumë e favorshme. Një pjesë e mirë e tyre investojnë fondet e tyre në atë që quhet treg me pakicë, ku bankat e nivelit të dytë i shesin individëve në mënyrë të drejtpërdrejtë këto letra me vlerë. Sipas rregullores letrat me vlerë që emetohen nga Ministria e Financave mund të blihen nga Banka e Shqipërisë A, bankat e nivelit të dyte, institucione financiare dhe individë etj. Duke qenë një treg që mbetet ende në një konkurrencë të vogël, interesat që ofrohen për këto investime janë të leverdishme sidomos për ata individë që kanë ndërmend të mbajnë në formë investimesh paratë e tyre. Bonot e thesarit kanë një afat maturimi prej 3, 6 dhe 12 muajsh.
Shtija e Obligacioneve në tremujorin e tretë
Në Bankën e Shqipërisë, për llogari të Ministrisë së Financave është vënë re sërish rritja e interesit të obligacioneve më afat 2-vjeçar fiks maturimi. Sot janë shitur 2 miliardë lekë të reja letra me vlerë të Thesarit të Shtetit me afat 24-mujor maturimi, që do të emetohen më datë 20 tetor dhe do të maturohen më 20 tetor të vitit 2011. Kuponi indikativ i tyre (interesi vjetor) është 9.70 për qind. Në ankandin e fundit, të zhvilluar në BSH më datë 17 shtator 2009, ku u shitën 1.3 miliardë lekë obligacione dyvjeçare, interesi ishte 9.60% dhe në mes të gushtit ky interes ishte 9.55 për qind. Brenda dy muajve, interesi i obligacioneve dyvjeçare rezulton, kështu, të jetë rritur në masën 1.6 për qind, si rezultat i kërkesës në rritje të qeverisë për borxh të brendshëm dhe likuiditeteve më të pakta në dispozicion të bankave të nivelit të dytë dhe qytetarëve, si pasojë e krizës globale.
Borxhi në 6-mujorin e parë
Borxhi afatshkurtër , bonot e thesarit përfaqësuan 55.09% të borxhit në total , nga 55.99% në fund të vitit 2008, ndërsa letrat me vlerë me afat maturimi më të gjatë se një vit, përfaqësuan 36.68% të stokut, kundrejt 36.14% në fund të vitit 2008. Ne vlera absolute, të dhënat zyrtare treguan se stoku i borxhit të jashtëm, arriti në rreth 214 miliardë lekë, i ndarë në 181 miliardë lekë borxh shtetëror dhe 33 miliardë lekë borxh i garantuar. Borxhi publik në Shqipërisë përfaqësohet nga borxhi i qeverisë qendrore, pasi për momentin pushteti lokal nuk zotëron ende të drejtën për të emetuar letra me vlerë të borxhit publik. Borxhi i qeverisë qendrore është i përbërë nga borxhi me instrumente financiare (bono dhe obligacione) si dhe nga borxhi i kontraktuar i përbërë nga kreditë e ndryshme të marra ose të garantuara nga shteti shqiptar me interesa koncesionale dhe tregtare. Borxhi i jashtëm, gjithashtu është përfshirë në një proces negociatash rishikimi për marrëveshjet e riskedulimit me Rusinë, Jugosllavinë, Greqinë, kompanitë private angleze, ato austriake, holandeze etj për të cilat janë planifikuar të paguhen 1,383 milionë lekë për shlyerjen e principalit dhe 345 milionë lekë për interesat. Nga ana tjetër zhvlerësimi i dollarit në raport me monedhën vendase, ka ndihmuar qeverinë shqiptare të reduktoje kostot e shlyerjes së interesave të borxhit të jashtëm.
Menaxhimi i portofolit
Institucionet financiare veprojnë edhe si menaxher portofoli dhe si këshilltarë për pjesën më të madhe të zotëruesve të letrave me vlerë të emetuara nga shoqëritë industriale dhe ato tregtare. Menaxherët e sektorit financiar privat menaxhojnë pjesën më të madhe të kredive të hipotekave për shtëpi dhe banesa, kredive për hipoteka komerciale, huave konsumuese, letrave me vlerë të qeverisë federale dhe të qeverive shtetërore dhe bashkiake, dhe të huave të biznesit. Gati një e katërta e aksioneve të zakonshme që gjenden në qarkullim, menaxhohen nga shoqëritë e investimit, ndërsa një pjesë e madhe e investimeve në aksione të zakonshme bëhet me ndihmën e funksionit këshillues të shoqërive të investimit.
Ornela Manjani
Last Updated on E Shtune, 03 Prill 2010 19:00