E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “Nuk kam vilë, Edi Rama hedh akuza të rreme”



Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se ka ai pasuri të padeklaruara. Prifti i bëri me dije opinionin publik se nuk ka dhe as nuk ka ndërmend të ketë ndonjë vilë, ashtu siç pretendon opozita.
“Unë e them dhe njëherë, përveç shpifjes që më kanë nxjerrë dhe për një vilë tjetër, të gjitha ato që ka përfolur Partia Socialiste, gazeta e tyre apo përfaqësues të tjerë, janë pasuri të deklaruara nga vetë unë dhe jo të zbuluara si të padeklaruara nga ata”, - u shpreh Prifti, duke shtuar se “unë, për të qenë konform ligjit të konfliktit të interesave, në momentin kur kryeministri Berisha më ka emëruar si ministër në kabinetin e tij, i jam drejtuar Inspektoriatit të Lartë për ta pyetur nëse zotërimi i aksioneve në një kompani private ishte konflikt interesi për mua si ministër. Inspektoriati më ka thënë që po, është konflikt interesi dhe unë menjëherë kam vepruar për ta zgjidhur këtë konflikt interesi, për të shitur aksionet që ka pasur familja ime në një kompani, aksione të cilat janë shitur nën vlerën minimale të kapitalit të asaj kompanie”. Ministri Prifti ka ftuar ILDKP-në të bëjë një hetim të detajuar lidhur me pasurinë e tij. “Çuditem se si Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive deri tani nuk ka bërë asnjë lloj deklarate në lidhje me gjithë këto shpifje. E ftoj ILDKP-në të bëjë një hetim sa më të shpejtë, sa më të plotë dhe sa më të thelluar të pasurisë sime, të të gjitha viteve të shkuara”, - u shpreh Prifti. Më tej, Prifti ka vijuar akuzat e tij ndaj kreut të PS-së, Edi Rama se ai e fsheh pasurinë e tij. “A ka ndonjë shqiptar të vetëm që beson se Edi Rama është i pastrehë? A ka ndonjë shqiptar të vetëm që beson se Edi Rama nuk ka shtëpi dhe jeton me nënën e tij? A ka ndonjë shqiptar të vetëm që mendon se pasuria e Edi Ramës është vetëm tre mijë euro?”, - shprehet Prifti.

21 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›