E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzimi i dekreteve, propozimet e Berishës tani, “në dorën” e Topit



Maxhoranca ka treguar shpeshherë me forcën e kartonit më shumë epërsi kundrejt kreut të shtetit. Këtë e ka bërë gjatë pesë viteve në pushtet, por edhe së fundi, duke rrëzuar propozimet e kreut të shtetit për anëtarë të Gjykatë së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Megjithëse, duke u nisur nga kompetencat që i njeh Kushtetuta, kryeministri duket se gëzon më shumë epërsi krahasuar me kreun e shtetit, ky i fundit ka të drejtën e dekretit për ligjet e rëndësishme, për ambasadorët, për ministrat dhe për çdo titullar të rëndësishëm. Por gjithashtu presidenti është ai që emëron gjyqtarët në dy gjykatat e rëndësishme, si dhe drejton Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ai ka të drejtë të rrëzojë në çdo moment, çdo propozim informal të kryeministrit, përsa i përket propozimeve për emërim gjyqtarësh.
Rrëzimi
Po kështu presidenti në bazë të Kushtetutës ka të drejtën të shpallë ose jo një ligj që miratohet nga Kuvendi. Ndryshe, kreu i shtetit mund të kthejë mbrapsht ligjet e miratuara nga maxhoranca për rishqyrtim në Kuvend. Në bazë të nenit 85 të Kushtetutës “presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm një herë”. Në axhendën e Kuvendit janë një sërë ligjesh të rëndësishme për të cilat maxhoranca po synon t’i miratojë sa më parë, por presidenti mund t’i rikthejë ato për rishqyrtim, vetëm për të treguar forcën e kompetencave që i njeh Kushtetuta dhe për të “marrë hak” për rrëzimin e dekreteve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kështu, kreu i shtetit mund të rikthejë për shqyrtim në Kuvend buxhetin shtesë që u miratua një natë më parë vetëm me votat e PD-së. Ai mund të kthejë ligje të tjera të rëndësishme siç është ai për kontrollin financiar në financat publike që kundërshtohet nga shoqata për autonominë vendore. Një tjetër ligj i rëndësishëm është ai për ndryshimin e ligjit të pronave, propozim i demokratit Alibeaj, që është kundërshtuar ashpër, jo vetëm nga opozita, por edhe nga shoqata e ish-pronarëve. Presidenti mund të mos dekretojë propozimet e qeverisë për ambasadorë të Shqipërisë në vende të ndryshme të botës. Po kështu kreu i shtetit mund të mos marrë në konsideratë asnjë propozim informal të kryeministrit për emërim gjyqtarësh në dy gjykata të rëndësishme të vendit.
Në bazë të Kushtetutës janë një sërë pozicione titullarësh që emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të kryeministrit. “Me propozim të Kryeministrit, Presidenti emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare. Me propozim të Kryeministrit, emëron drejtorin e shërbimit informativ të shtetit; emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit; cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve; ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”, - shkruhet në Kushtetutë. Kreu i shtetit gjithashtu në bazë të kushtetutës ka të drejtën e emërimit të gjyqtarëve të gjykatës së lartë dhe asaj Kushtetuese duke marrë pëlqimin e Kuvendit.

21 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›