PS-ja i kërkon kryeministrit Berisha ti heqë imunitetin ministrit Prifti
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste i ka kërkuar dje kryeministrit Sali Berisha t'i heqë imunitetin ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Deklarata është bërë dje para godinës së kryeministrisë nga deputetet e PS-së, Besnik Baraj, Ermonela Felaj dhe Lindita Nikolla.
Sipas tyre, ministri Prifti ka fituar miliona gjatë një viti që shqiptarët vetëm janë varfëruar. Përpos 1.8 milionë eurove të Priftit të fituara brenda një viti, deputetët kanë treguar me foto nga gazeta “Zëri i Popullit” pasuritë e tjera të padeklaruara të ministrit Prifti, një vilë që kushton 1 milion euro dhe një shtëpi prej 400 metra katrorësh. Në këto kushte, ata i kanë bërë thirrje prokurorisë se duhet të nisë me urgjencë hetimet për mënyrën e fitimit të milionave, ndërkohë që shumë prej pasurisë nuk është deklaruar.
Deklarata
“Sot (dje) gazeta ‘Zëri i Popullit’ ka zbuluar një tjetër fakt skandaloz dhe korruptiv për dy pasuri të ministrit, një shtëpi 400 metra katrorë në qendër të Tiranës dhe një vilë në Lundër. Vlera e të dyjave është më tepër se 1 milionë euro”, - tha Bare. Me këtë rast, deputetja Felaj i ka kërkuar institucioneve të drejtësisë të hetojnë rastin Prifti, si një tregues të korrupsionit marramendës në të cilin është zhytur qeveria Berisha. “Duhet të nisin hetimet. Opinioni publik duhet ta ketë të qartë se është një aferë e pastër korruptive”, - u shpreh Felaj. Duke iu referuar deklaratave të dy kolegëve të saj, kryetarja e minibashkisë Nr: 1 në kryeqytet, Lindita Nikolla ka theksuar se rasti Prifti është simbol i bashkëpunimit PS – LSI. “Kjo aferë, ku janë përfshirë ministrat e LSI-së, tregon qartë se si funksionon korrupsioni në qeverinë Berisha. Dritan Prifti në një vit si ministër fitoi 2.5 miliard lekë, në një kohë që ekonomia e vendit ka marrë të tatëpjetën dhe shqiptarët vuajnë përditë e më shumë vështirësitë ekonomike. Dritan Prifti ndërton vila milionere e blen apartamente luksoze në mes të Tiranës, ndërkohë që një popull i tërë mezi arrin të përballojë rritjen e ccmimeve. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe drejtësia shqiptare duhet menjëherë të vihet në lëvizje për të hetuar ministrin Prifti”, - u shpreh Nikolla.
Korrupsioni
Partia Socialiste ka lëshuar akuza ndaj ministrit Prifti edhe ditë më parë. Sipas selisë rozë, Prifti është përfshirë në një aferë korruptive që ka lidhje me një kompanie farmaceutike, ‘Megafarma’, prej të cilës ka marrë 1.8 milion euro ose 2 miliard e gjysmë lekë. Deputeti i PS-së, Armando Subashi është shprehur ditë më parë se 1.8 milion eurot e ministrit Prifti janë veçse maja e ajsbergut të korrupsionit, ku është kredhur qeveria Berisha-Meta. Këto 1.8 milion euro dhe milionat e tjera që kanë futur në xhep ministrat dhe drejtuesit e lartë të LSI-së, sipas tij, shpjegojnë fare mirë arsyen përse Dritan Prifti dhe Ilir Meta trafikuan 80 000 vota të majta, për t’u shpërblyer më pas nga Sali Berisha me miliona euro të fituara nga aferat korruptive.
21 Korrik 2010