E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: “Prokuroria të hetojë vjedhjet dhe korrupsionin në ARMO”



Nënkryetari dhe deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, ka shprehur shqetësimin për vjedhjet dhe procesin korruptiv të privatizimit, që po ndodhin në kompaninë shtetërore të naftës “ARMO”.
Në një konferencë për shtyp, Prifti tha se privatizimi i ARMO-s po paraprihet nga strategjia për ta shkatërruar dhe keqmenaxhuar këtë kompani, me qëllim uljen e vlerës së saj financiare.
“LSI-ja nuk është në parim kundër privatizimeve, por ne jemi kundër privatizimeve korruptive, jemi kundër strategjisë që ndërmarrjet gjigante shtetërore duhet të shkatërrohen me vjedhje dhe keqmenaxhim, me qëllim që të shiten lirë tek investitorë të përkëdhelur të qeverise, tek firmat e ftuara me porosi të veçantë nga qeveritarë dhe familjarë të tyre. Privatizimi i ARMO-s po bëhet pas një strategjie të ndjekur për shkatërrimin gradual të kësaj kompanie. Shkatërrimi si proces vazhdon deri ditët e sotme, kur drejtues të lartë të shtetit vjedhin pasurinë publike në mes të ditës dhe në mes të natës, vetëm për ta shkatërruar këtë kompani dhe pastaj për ta shitur atë si kompani të pashpresë dhe pavlerë”, - tha Prifti. Deputeti i LSI-së denoncoi vjedhjet e hapura që po i bëhen naftës së ARMO-s nga zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit. “Po i them dhe një fakt tjetër Berishës: Zyrtarët më të lartë të Policisë së Fierit dhe familjarë të tyre çdo natë vjedhin në mënyrë ilegale naftën e shtetit dhe e shesin atë te karburantet private në atë zonë. Në Patos është hapur vjedhurazi një rubinet në tubin e naftës, ku natën cisternat e familjarëve të Policisë së Fierit furnizohen me naftë, të cilën e shesin dhe paratë i fusin në xhepat e tyre. Kjo vjedhje nga policia bëhet në bashkëpunim me zyrtarët e lartë të ARMO-s dhe ALBPETROL-it, sepse që të ketë naftë në tubacione natën duhet të hapen dhe pompat për ta shtyre atë”, - tha Prifti. Ai theksoi se duhet të anulohet procesi i privatizimit të ARMO-s, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet për të verifikuar abuzimet që po ndodhin në këto kompani. “Kjo kompani nuk duhet të privatizohet për momentin. Tregu ndërkombëtar i naftës ka favorizuar ndjeshëm pozitën në treg të kësaj kompanie dhe fitimet janë kolosale. Pse duhet të shesim një kompani, që dhe pas vjedhjeve dhe abuzimeve, përsëri ka shumë fitim? I kërkojmë qeverisë ta pezullojë këtë privatizim dhe prokurores së Përgjithshme të fillojë hetimet për këtë skandal me dëme të mëdha ndaj ekonomisë sonë”, - tha nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›