E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka: “Ju rrëfej takimin me Sali Berishën”



Shaban Sulçe
Zbardhen detajet e takimit midis kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit të PAD-së, Neritan Ceka. Pavarësisht se ky takim nuk ka pasur një axhendë konkrete, në të nuk kanë munguar bisedat rreth zhvillimeve të së majtës dhe të së djathtës. Një temë kryesore ka qenë edhe referendumi, çështje për të cilën Berishës i është komunikuar se ky proces është i pashmangshëm dhe se askush nuk mund t’ua privojë shqiptarëve të drejtën për t’u shprehur për fatet e demokracisë së tyre. Të gjitha këto i pohon protagonisti i këtij takimi, presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, i cili në një intervistë për gazetën “Albania” tregon detajet e takimit me kryeministrin dhe liderin e maxhorancës, Sali Berisha.

Zoti Ceka, dy ditë më parë jeni takuar me kryeministrin Berisha. Cili ishte qëllimi i këtij takimi?
Takimi nuk kishte ndonjë axhendë konkrete dhe nuk u fol për asgjë konkrete. Ai takim ishte i treti që kam pasur me Berishën gjatë këtyre muajve të fundit dhe në të u fol kryesisht për gjërat që na kanë bashkuar në fillimvitet ‘90 si dhe disa gjëra në përgjithësi përsa i përket reformës në Drejtësi.
Është aluduar se gjatë këtij takimi kryeministri Berisha ju ka bërë një ofertë për t’ju përfshirë në kabinetin qeveritar. Sa e vërtetë është një gjë e tillë?
Absolutisht jo. Nuk ka pasur asnjë ofertë apo propozim konkret nga ana e Berishës, as për këtë gjë dhe as për ndonjë çështje tjetër. Temat në të cilat u fokusua biseda kishin të bënin me të djathtën në përgjithësi, në një moment ku tashmë Partia Demokratike po shkon drejt një orientimi më liberal-demokrat. Argumenti i dytë për të cilin kemi biseduar ishin objektivat europianë të Shqipërisë dhe realizimin e aspiratave të popullit shqiptar. Në këtë bisedë u theksua gjithashtu se në vitin 2009 ekzistojnë shanset për të pasur një të djathtë me europiane.
A keni biseduar për çështje që kanë të bëjnë me të majtën?
Nuk kemi folur për të majtën, përveçse disa gjërave kalimtare, ku kryesorja ka qenë çështja e referendumit. Berishës i kam thënë që është shumë e rëndësishme që popullit shqiptar të mos i mohohet e drejta për t’u shprehur për fatet e demokracisë së vendit. Berishës i theksova se referendumi është i pashmangshëm dhe se askush nuk mund ta privojë sovranin nga e drejta për t’u shprehur për mbrojtjen e Kushtetutës.
A do të vazhdoni ju të jeni pjesë e opozitës?
Kjo ishte edhe një temë që u prek gjithashtu në bisedë. Tashmë opozita po shkrihet nga bashkëpunimi PD-PS dhe kjo më nxit për të luftuar edhe më shumë për polin e tretë, që do të jetë udhëheqësi i opozitës shqiptare. Vendi ynë, në kushtet e aspiratës për t’u integruar në familjen europiane, ka nevojë për një opozitë më të fortë dhe këtë gjë nuk mund ta bëjë dot PS-ja, e cila po ecën dhe po vepron mbi bazën e interesave të saj të ngushtë.
Zoti Ceka, tani që ka pasur një riformatim të grupeve parlamentare, është folur që do të bashkoheni me Grupin Parlamentar të LSI-së. A është e vërtetë një gjë e tillë?
Po, në shtator do t’i bashkohem Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›