Prifti-Pula: Pse u mor energji nga Kosova
15/01/2010 Ministri Prifti takon homologen e Kosovës, Justina Pula
KEK-u dhe KESH-i shkëmbejnë 5-6 mijë megavat orë gjatë ditës
Kosova dhe Shqipëria kanë shkëmbyer energji, por jo për import-eksport. Ministri Dritan Prifti gjatë një takimi me homologen e tij të Kosovës, Justina Pula hodhi poshtë deklaratat për import të energjisë. Sipas tij, Shqipëria mesatarisht çdo ditë i ka dhënë Kosovës rreth 6 milionë kilovat/orë energji, prodhim i cili ka qenë i nevojshëm që të shkarkoheshin ujërat e tepërta në tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit. “Ne i kemi dhënë me një intensitet shumë të lartë Kosovës energji dhe sipas marrëveshjes që kemi, ne e marrim këtë energji gjatë periudhës së verës. KESH-i ka një marrëveshje ekzistuese me OSSH-në sipas të cilës korporata e furnizon kompaninë e privatizuar deri në masën 70 për qind të energjisë që ajo konsumon sot dhe pjesën tjetër OSSH-ja me marrëveshje ka të drejtë ta importojë, por ka të drejtë ta marrë edhe nga KESH-it”, - tha ministri Prifti. Ministrja e Kosovës nënvizoi se ekziston një marrëveshje midis KEK-ut dhe KESH-it, kompani që operojnë në mënyrë të pavarur, për shkëmbimin e energjisë në import dhe eksport. “Në periudhën e fundit kjo ka qenë thjesht një marrëveshje shkëmbimi, ku KEK-u për shkak të situatës emergjente në Shqipëri ka ndalur dy njësitë për prodhimin e energjisë të termocentralit Kosova A për t’i dhënë mundësi KESH-it që të shfrytëzojë në maksimum prurjet e mëdha të ujit në hidrocentrale. Njësia e parë e TEC-it është ndalur më 26 dhjetor dhe më pas më 1 janar. Kjo është bërë për shkak të situatës emergjente. Gjatë kësaj kohe KESH-i ka depozituar energji në Kosovë, që do ta marrë mbrapsht sipas nevojës”, - tha Pula. Sipas saj, këto kompani kanë shkëmbim energjie deri në 5-6 mijë megavat orë gjatë ditës.