Rritja e pagave dhe pensioneve, kosto 11.8 mld lekë
Bode: Rritja e pagave fillon nga 1 korriku i vitit të ardhshëm. Rritja për pensionet nga 4 deri në 15 për qind
TIRANË- Ministri i Financave bëri mbrëmë publike koston që do të ketë në buxhetin e shtetit rritja e parashikuar e pagave dhe pensioneve për vitin e ardhshëm. Nga rritja e pagave që pritet të bëhet në muajin korrik 2010 nga buxheti i shtetit pritet të nxirren rreth gjashtë miliardë lekë, ndërsa nga rritja e pensioneve kostoja parashikohet të jetë 5.8 miliardë.
Në bazë të përcaktimeve në buxhet mbi pagat dhe pensionet, parashikohet të aplikohet një rritje nga 4 deri në 15 për qind në varësi të nivelit të tyre.
Kështu, parashikohet që fondi prej gjashtë miliardë do të shërbeje për një rritje të pagave nga katër deri në dhjetë për qind, ku më të privilegjuarat do të jenë ato më të ulëtat të cilat pritet të marrim rritjen maksimale.
Për sa i përket pensioneve, rritja e tyre parashikohet të variojë nga shtatë deri në dhjetë për qind ku përsëri më shumë pritet të rriten pensionet e ulëta. Ndërsa pensionet e fshatit parashikohet të rriten deri në 15 për qind.
Shpenzimet totale në buxhetin e vitit të ardhshëm parashikohet të jenë në nivelin e 410 miliardë lekëve ndërsa të ardhurat rreth 361 miliardë. Sërish deficiti pritet që të jetë i ndjeshëm, rreth 50 miliardë lekë.
Duke vlerësuar treguesit e buxhetit 2010 Bode theksoi se vërehet një rritje e konsiderueshme e volumit të tij ku shpenzimet kapin vlerën e 410 miliardë lekëve ose rreth 32 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
"Ky nivel reflekton objektivin e ekzekutivit për një qeverisje të vogël, me taksa të ulëta dhe mundësi të mëdha për zhvillimin e ekonomisë, për anëtarësimin në BE", - tha Bode
Gjatë vitit 2010, sipas Bodes, Shqipëria pritet të ketë një rritje ekonomike deri në 6.5 për qind dhe një inflacion brenda normave të përcaktuara, rreth 3 për qind, kurse niveli i papunësisë parashikohet të ulet me 0.3 për qind.
"Rritja ekonomike programohet në 6.5 për qind e cila do të karakterizohet nga filozofia e rritjes nëpërmjet nxitjes së ofertave dhe politikave makroekonomike mirë ta planifikuara", - tha ai.
Gjatë fjalës së tij Bode parashtroi edhe njëherë parashikimet për të ardhurat në buxhetin e shtetit. Sipas tij, pritet një rritje e mëtejshme e tyre megjithëse nuk janë kryer ndryshime në sistemin e taksave.
"Ndryshimet në barrën fiskale të programuara për vitin 2010 synojnë konsolidimin e sistemit pa bërë një rritje të sistemit të taksave duke ruajtur avantazhet që ka vendi në krahasim me shtetet e rajonit në këtë sektor.
Të ardhurat tatimore nga administrata qendrore do të rriten me 11.6 për qind dhe të ardhurat gjithsej do të shkojnë sa 28.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ne mendojmë se skenari i rritjes së këtyre të ardhurave është plotësisht i mundshëm", - tha ai.
Pas miratimit në parim në Kuvend projektbuxheti do t'i rikthehet edhe njëherë Komisionit të Ekonomisë për të shqyrtuar kërkesat dhe pretendimet e institucioneve të tjera buxhetore ku do të bëhet edhe miratimi nen për nen i tij.