Ligji, nga sot deputetët do të lëvizin pa makinat e shtetit
Ligji "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionaret publike dhe nëpunësit civilë", futet sot në fuqi. Deputetët nuk mund të përdorin më makinat e shtetit
TIRANË- Nga sot, deputetët dhe nëpunësit civilë të administratës së lartë nuk do të kenë më makina apo shofer në dispozicion, por shërbimi i transportit do t'u mbulohet nga buxheti i institucioneve përkatëse, sipas ligjit "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionaret publike dhe nëpunësit civilë", që sot futet në fuqi.
Bëhet fjalë për ligjin që rregullon në mënyrë përfundimtare shërbimin e transportit të deputetëve dhe funksionarëve të lartë të administratës që sipas rëndësisë së funksionit që ata kryejnë janë ndarë edhe në kategori të caktuara.
Kështu, në bazë të ligjit, një pjesë e funksionarëve të lartë, si Presidenti, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit, apo edhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese do të vijojnë të përdorin mjetet, në çfarëdo kohe, ashtu edhe në fundjavë kur janë jashtë shërbimit, por më një kusht që në drejtoritë e përgjithshme të financave, burimeve njerëzore dhe shërbimeve të institucioneve që përfaqësojnë, të hedhin një shumë prej 50 000 lekësh në vit.
Ndërsa deputetëve, që përfshihen në një tjetër kategori, do t'u përcaktohet një përfitim financiar mujor. Masa e përfitimit financiar për çdo deputet do të miratohet me vendim të Kuvendit, në bazë të distancës me zonën që ai përfaqëson, por, në nivelin mesatar, kjo masë nuk mund të jetë më shumë se 45 000 lekë në muaj.
Në kategorinë e tretë, ku përfshihen funksionarë të nivelit drejtor i përgjithshëm/titullar institucioni/titullar i ndërmarrjeve publike, që nuk përfshihen në kategorinë e parë dhe në të dytën, do të marrin një përfitim financiar mujor në përputhje me veprimtarinë e tyre, por jo më shumë se 15. 000 lekë në muaj. Kjo kategori dhe masa e këtij përfitimi mujor përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në ligj është përcaktuar edhe një kategori e veçantë ose më saktë e katërta, ku përfshihen të gjithë punonjësit e tjerë të ministrive, institucioneve qendrore dhe të varësisë, të cilëve shërbimi i transportit, për të përmbushur detyrat e tyre funksionale, do t'u ofrohet nga institucioni përkatës.
Ky shërbim do të kryhet me mjetet në përdorim të institucionit, të cilat përdoren, në çdo rast, vetëm me autorizim apo urdhër të titullarit, për shërbime, sipas një programi të miratuar prej tij.
Më hyrjen në fuqi të ligjit, numri i automjeteve në dispozicion të çdo ministrie, institucioni qendror apo dhe të varësisë do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Më dorëzimin e makinave, sot që është edhe afati i fundit, deputetët do të kenë të drejtën që t'i blejnë, pasi ligji përcakton se të gjitha automjetet e tepërta, në dispozicion të ministrive, institucioneve qendrore dhe të varësisë shiten me ankand, dhe e drejta e parablerjes u takon pikërisht funksionarëve që përfshin ky ligj.
Rregullat e funksionimit të komisionit të ankandit, procedurat e zhvillimit të ankandit dhe kriteret e vlerësimit të pronës, që do të nxirret në ankand, do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Funksionet që do të vazhdojnë të mbajnë makina dhe shoferë
1 President
2 Kryetar i Kuvendit
3 Nënkryetar i Kuvendit
4 Kryeministër
5 Zëvendëskryeministër
6 Ministër
7 Prokuror i Përgjithshëm
8 Avokat i Popullit
9 Drejtor i SHISH-it
10 Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit
11 Kryetar i Gjykatës Kushtetuese
12 Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
13 Drejtor i Përgjithshëm i Policisë
14 Kryetar i partisë në mazhorancë dhe më të madhe opozitare
15 Kryetar i bashkisë së kryeqytetit
16 Kryetar i Gjykatës së Lartë
17 Kryetar i Gjykatës së Krimeve të Rënda
18 Kryetar i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda
19 Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda
20 Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda
21 Guvernator i Bankës së Shqipërisë
22 Komandant i Gardës së Republikës