E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Rriten kostot për ndërtimin, bien fitimet

Sektori i ndërtimit po vijon të ketë probleme serioze në aspektin e zhvillimit, si rrjedhojë e politikave fiskale dhe mungesës së lejeve të ndërtimit. Përveç këtyre dy faktorëve kyç, ndërtimi në vend po has gjithnjë e më shumë rritje të çmimit të lëndëve të para, që kryesisht vijnë nga importi. Vëzhgimi i fundit, bërë nga Instituti i Statistikave-INSTAT, konstaton edhe një herë rënien e këtij sektori, i cili kontribuon në masën 25 për qind në Prodhimit e Brendshëm Bruto. Kështu, sipas INSTAT, në tremujorin e parë të 2008, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim arriti 127.3 për qind, duke shënuar një rritje të lehtë me rreth 0.1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ose kostoja për të ndërtuar ka shënuar një rritje 0.7 për qind. INSTAT bën të ditur se, një vit më parë ky ndryshim ishte 3.3 për qind, duke treguar se diçka ka ndryshuar në këtë sektor, por që gjithsesi nuk po rimerr veten ashtu siç duhet.

Statistikat

Raporti i publikuar së fundmi nga INSTAT për periudhën janar-mars 2008, vë në dukje faktin se me rritjen e kostos në ndërtim, paralelisht për bizneset ndërtuese ka rënë dhe fitimi. Për këtë periudhë të vitit, krahasuar me 2007, fitimi për subjektet e këtij sektori ka pësuar rënie me rreth 1,9 për qind. Kjo ndikuar negativisht tek arkëtimet, sidomos te taksa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, e cila ka pësuar rënie të të ardhurave me rreth 1,3 për qind. Sipas INSTAT, indeksi i çmimeve të grupit "Shpenzime direkte" është rritur 0.4 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e shënuan nëngrupet "Shpenzime për paga" me rreth 4.6 për qind dhe "Shpenzime transporti" me rreth 2.4 për qind. Për sa i përket, indeksit të çmimeve të grupit "Shpenzime materiale", regjistrohet një ulje prej rreth 0.8 për qind. Këtu, sipas Institutit të Statistikave, mund të përmendim uljen e çmimeve të materialeve të ndërtimit prej 0.9 për qind. Ndërsa shpenzimet e materialeve elektrike dhe materialeve hidro-sanitare kanë shënuar rritje përkatësisht 1.5 dhe 0.8 për qind.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim

për 3-mujorin e parë 2008,

krahasuar me 2007 (%)

TOTALI I RRITJES 0.7
SHPENZIME DIREKTE 1.5

SHPENZIME MATERIALE 0.5
MATERIALE NDËRTIMI 0.3
MATERIALE ELEKTRIKE 5.1
MATERIALE HIDRO-SANITARE 1.7
SHPENZIME PËR PAGA 5.1
SHPENZIME TRANSPORTI 2.7
SHPENZIME MAKINERIE 1.6
Fitimi i parashikuar -1.9
TVSH -1.3



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›