E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, ndihmë Shqipërisë për 3 projekte të mjedisit



Italia do të ndihmojë Shqipërinë në planin e menaxhimit të ekosistemit të Liqenit të Shkodrës dhe Lumit Buna, si dhe të parkut rajonal të Alpeve me Malin e zi dhe Kosovën. Gjithçka u ra dakord gjatë vizitës dy ditore që ministri Fatmir Mediu zhvilloi në Itali. Gjatë kësaj vizite, ministri Mediu mori pjesë si i ftuar nderi në një takim të përbashkët me Ministren italiane të Ambientit, Stefania Prestigiacomo dhe atij francez, Jean-Louis Borloo. Po kështu, ai së bashku me delegacionin që e shoqëronte, u ftua në një takim në Romë, nga Ministrja e Ambientit Prestigiacomo, ku u diskutua rreth projekteve të përbashkëta mes dy vendeve mike, në fushën e Mjedisit. Të dy ministrat, folën për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm që të dy ministritë kanë pasur ndër vite, si dhe për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi me anë të hapave konkretë. Gjithashtu u diskutua edhe për projekte të tjera bashkëpunimi mes agjencive mjedisore të dy vendeve, si dhe në të ardhmen të shikohej mundësia e një binjakëzimi të tyre. Një vlerësim mjaft pozitiv patën edhe diskutimet rreth investimeve në fushën e energjisë të rinovueshme apo të mirëmenaxhimit të burimeve ujore. Ministrja italiane Prestigiacomo shprehu me kënaqësi interesin për të qenë e pranishme në një takim të ardhshëm në Shqipëri, me ftesë të Ministrit të Mjedisit Mediu, për një konferencë ndërkombëtare për çështjet e mjedisore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›