E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”: Një vit trajnim për specialistët e autizmit



Fondacioni i Fëmijëve Shqiptarë, me presidente zonjën Liri Berisha, ka filluar trajnimin e specialisteve të Qendrës “Fluturo për Jetën”, me metodat më bashkëkohore të trajtimit të fëmijëve të spektrit autik. Ai do të bëhet në kuadër të Projektit: “Program Formimi në ndërhyrjet e sjelljes për terapist fëmijësh me çrregullime të spektrit autik”. Projekti është një bashkëpunim i Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, me asistencë profesionale nga Autism Speaks në New York dhe financohet nga Fondacioni Vodafone Albania. Projekti do të zbatohet në një periudhë 1-vjeçare, gjatë së cilës specialistët e Qendrës do të trajnohen, mbikëqyren dhe certifikohen profesionalisht nga ekspertë amerikanë të Autism Speks në New York. Në kuadër të këtij projekti do të hartohet një model trajnimi në shqip, i cili do të përdoret më pas për të trajnuar dhe certifikuar specialistë të qendrave të tjera në këtë fushë. Gjithashtu nëpërmjet këtij projekti, Fondacioni Fëmijët Shqiptarë ka sjellë në Shqipëri modelin “STANDART” të trajtimit të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik, si dhe do të realizojë ndërtimin e infrastrukturës për trajnimin në distancë të specialistëve. Përfitues të projektit do të jenë fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, familjet e tyre, si dhe profesionistët e asistencës së drejtpërdrejtë terapeutike për fëmijët autikë në Shqipëri. Autizmi vitet e fundit ka shënuar një numër në rritje të të prekurve, çka ka bërë që kjo sëmundje të vihet në fokus jo vetëm të strukturave shëndetësore, por edhe organizatave joqeveritare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›