E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Vasilit: Operacionet vetëm me firmën e pacientëve



Pacientët do të informohen për të gjitha komplikacionet e një ndërhyrjeje kirurgjikale. Më tej, ata duhet të japin miratimin nëse duan të futen në sallë apo jo. Kjo praktikë e munguar bëhet e detyrueshme në sistemin shëndetësor. Dje Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili urdhëroi aplikimin për herë të parë të standardeve europiane edhe në spitalet tona. Urdhri sanksionon transparencën dhe ndihmon në rritjen e përgjegjësive në marrëdhëniet mjek - pacient - sistem shëndetësor. “Në këtë mënyrë do të rriten nivelet e sigurisë dhe të korrektesës në strukturat publike shëndetësore shqiptare, si dhe përfshirjen e standardeve europiane në dokumentacionin shëndetësor”, është shprehur ministri. Urdhri është i detyruar jo vetëm për spitalet, por edhe për poliklinikat ku do të ofrohen shërbime që janë objekt i këtij urdhri. Miratimi i pacientit apo i personave të tjerë ligjorë të autorizuar për nënshkrimin e deklaratës së konsensusit për njohjen e komplikacioneve të ndërhyrjeve ekziston dhe aplikohet gjerësisht në klinikat dhe spitalet private dhe në Shqipëri. Zbatimi i tij është një procedurë e detyruar në të gjithë institucionet publike dhe private europiane. Pas daljes së urdhrit, drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi deklaroi se me këtë procedurë plotësohet kartela e pacientit. Aktualisht kjo praktikë është zbatuar në QSUT, por vetëm për rastet e rënda. “Mendoj se është një urdhër shumë pozitiv dhe i efektshëm për të rregulluar këto marrëdhënie pacient-mjek, për më tepër që krijon një konsensus shumë të mirë lidhur me ekzaminimet invazive dhe ndërhyrjet kirurgjikale, ku nëpërmjet një deklarate të veçantë, ndryshe nga deri më tani, pacienti ose familjari bie dakord për tri gjëra kryesore: procedurën që do të ndodhë, trajtimin alternativ që ka lidhje me këtë dhe rreziqet apo komplikacionet që mund të shoqërojnë procedurën”, tha Dashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›