Meksikanët turpërojnë Francën e Domenekut
Leonard Karaj
Meksika ka mundur Francën duke e nxjerrë thuajse jashtë Botërorit 2010. Do të mjaftonte një barazim në ndeshjen e fundit mes Uruguajt dhe Meksikës që edhe fitorja ndaj Afrikës së Jugut do linte francezët jashtë.
Por duhet thënë se më shumë se një humbje e Francës ishte një kapitullim i "epokës Domenek". Tekniku i shumëpërfolur edhe një herë ka treguar kufijtë e të qenurit trajner teksa ka hedhur në fushë një skuadër totalisht të shthurur dhe pa asnjë ide. Domenek la sërish në stol Henrinë duke luajtur me Anelkanë në vijën e sulmit, lojtar ky që si në ndeshjen e parë dhe në të dytë tregoi një formë shumë të dobët. Larg ditëve të tija më të mira ka qenë edhe Riberi, i cili u mundua të shpërthejë hera-herës mes mbrojtësve meksikanë por pa arritur që të ndryshojë rrjedhën e lojës së skuadrës së tij. Me këtë rezultat pritet që jo vetëm shtypi francez, i cili shpërtheu që mbrëmë, pesë minuta pas përfundimit të takimit në kritika ndaj trajnerit, por edhe drejtuesit më të lartë të shtetit dhe federatës së këtij vendi.
Franca rrezikon edhe një herë sikundër në Botërorin e 2002 që të dalë shumë shpejt nga gara, madje edhe pa shënuar qoftë edhe një gol.
Nga ana tjetër Meksika e Aguirre meritoi plotësisht fitoren, e ardhur kjo në sajë të një loje të kujdesshme në mbrojtje dhe efikase në linjën e sulmit. Madje bardhëjeshilët mund të kishin shënuar edhe më shumë por në pah doli aftësia e portierit francez Hugo Loris.
skeda
Francë-Meksikë 0-2
Shënues: Hernandez 64', Blanko 79 (p)
Kartonë të verdhë: Toulalan 45', Abidal 79'/ Franco 4', Juarez 45', Moreno 49', Rodriguez 82'
Franca: Lloris, Sanja, Abidal, Gallas, Riberi, Govu (Valbuena 69'), Evra, Toulalan, Malouda, Diabi, Anelka (Zhinjak 46'). Trajner: R.Domenek
Meksika: O.Perez, Rodriguez, Salcido, Markez, Osorio, Torrado, Franko (Blanko 62'), Vela, Moreno, Juarez (Hernandez 55'), Dos Santos. Trajner: H.Aguirre
Ndeshjet/Grupi A
Francë-Uruguaj 0-0
Afrikë J.-Meksikë 1-1
Uruguaj-Afrikë e J. 3-0
Francë-Meksikë 0-2
Renditja/Grupi A
Shteti ND F B H P
Uruguaj 2 1 1 0 4
Meksika 2 1 1 0 4
Franca 2 0 1 1 1
Afrika J. 2 0 1 1 1