E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti fton biznesin turk për investime

"Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha natyrore si në atë energjetike ujore, diellore, gjeotermale, ashtu edhe në atë minerare, duke e bërë atë një potencial rajonal për prodhimin e energjisë se rinovueshme", deklaroi ministri Prifti gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Biznesit që u zhvillua të premten në Tiranë.

Duke u ndalur në klimën e mirë, që ekziston midis dy vendeve tona, ministri Prifti vuri në dukje se, kjo ka influencuar në marrëdhëniet tregtare, ku që prej vitit 2003, Turqia mban vendin e tretë në volumin tregtar të Shqipërisë, dhe në vitin 2009, Turqia vazhdon të jetë partneri i tretë tregtar i Shqipërisë, pas Italisë dhe Greqisë, me një volum rreth 5.3 % të tregtisë.

Në këtë kontekst vijoi, ministri Prifti, mundësitë për të rritur këtë volum tregtar janë të shumta, dhe përkushtimi i Qeverisë Shqiptare për të krijuar një klimë të shkëlqyer për investimet Turke në Shqipëri do të vazhdojë dhe në të ardhmen, ndaj theksoi Prifti, do të ftonim kompanitë turke që akoma nuk operojnë në tregun shqiptar, të ndjekin shembullin pozitiv të disa kompanive turke që ndodhen në Shqipëri dhe kanë arritur të sigurojnë një pjesë të mirë të tregut.

Sipas tij, sektori energjetik është jo vetëm një treg i veçantë në vetvete, por edhe burim për zhvillimin e jetës ekonomike dhe sociale në vend. Ndërkohë që vijoi ai, Qeveria Shqiptare ka miratuar rreth 9 zona ekonomike, me statusin e parqeve industriale, të cilat vlerësohen si zona atraktive për biznesin dhe veçanërisht për shoqëritë turke, të cilat kanë një eksperiencë të mirë, në fushën e industrisë dhe produkteve të saj, mund të investojnë dhe të krijojnë një avantazh krahasues duke u vendosur në këto zona.

Kreu i Ekonomisë solli në vëmendje të pjesëmarrësve në këtë Forum, vlerat dhe potencialet që bartin dhe sektor të tjerë të ekonomisë shqiptare si ai minerar, ndërtim dhe turizëm, që ngjallin interes të veçantë për investime nga kompanitë turke.

"Privatizimet e ardhshme, janë një mundësi potenciale reale, ku Qeveria është duke u përgatitur për privatizim të kompanive shtetërore të prodhimit të naftës, ALB-Petrol etj", tha Prifti, i cili vuri në dukje se, përvoja e Qeverisë Shqiptare me privatizimet nga kompanitë turke, ka qenë pozitive".

Investimet Turke, sipas Bankës së Shqipërisë, zënë rreth 11% të investimeve të huaja në Shqipëri, duke i bërë kompanitë Turke, një investitor kryesor në ekonominë shqiptare. Sot mbi 40 kompani të ndryshme turke operojnë në Shqipëri, por duke shtuar shoqëritë e përbashkëta me ato shqiptare numri i tyre arrin në rreth 111 të tilla.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›