E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toka i takon atij që e mbron

Rithirrja e sloganit “Toka i takon atij që e punon” si argument për projektligjin “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara” miratuar së fundmi nga qeveria është totalisht i pavlerë, madje thellësisht i mbrapshtë. Ky slogan ka shërbyer për reforma të mëdha ekonomike me konotacion të theksuar ideologjik e klasor në periudha të shekullit të kaluar në kontinente të ndryshme, përfshi reformën agrare në Shqipërinë komuniste të pasluftës. Reformat të kësaj natyre tash janë edhe në shkallë botërore pjesë e historisë, ku ndoshta Shqipëria ishte kapitulli i fundit me reformën e ndarjes së tokës në vitin 1991.

Projektligji për shfrytëzimin e tokave bujqësore është thellësisht kontravers në thelb të vet dhe në shumë aspekte të tij.

Së pari, “Toka i takon atij që e punon” qartazi përkthehet “i merret të madhit i jepet të voglit”, kurse projektligji që ofrohet përkthehet “i merret të voglit e i jepet të madhit”. Tek “i madhi” bën pjesë jo vetëm më i pasuri që do të mund të marrë tokën me qira, por dhe shteti që do marrë përqindje nga i “vogli”, madje më i varfëri i të vegjëlve, ai që as nuk mund ta punojë tokën e tij. “Ne kemi pak tokë të kultivueshme, ndaj nuk kemi asnjë pëllëmbë tokë për ta lënë të papunuar. Ky është edhe morali i këtij ligji”, thotë Kryeministri. Kjo thënie ngjan si dy pika uji me politikën shumë të gabuar të Partisë së Punës “t’u qepemi kodrave e maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat”. Pasojat e kësaj politike janë dhe sot evidente me erozionin galopant të tokës që ka vendi ynë. Sipas projektligjit të ri edhe këto toka të degraduara dhe eroduara, do duhet që të punohen. Absurdi shkon deri aty sa në vend që shteti të investojë për këto lloj tokash për t’i rehabilituar me breza pyjorë apo bimë shumëvjeçare kërkohet që në to të futen traktorët e të mbillen për të nxjerrë fitime e që me këto fitime të fitojnë pronari, qiraxhiu dhe vetë shteti. Nëse zbresim në terrenin fushor dhe supozojmë se ekonomikisht skema e propozuar me 1 qiraxhi dhe 2 pronarë funksionon nga ana social–ekonomike, ajo që viktimizohet është toka bujqësore (që e kemi aq të pakët) tash e marrë me qira nga shteti, që do të shfrytëzohet deri në maksimum, me trajtime intensive punimesh e kimikatesh, duke e çuar atë në shkallë të lartë degradimi. Asnjë nuk mund të pranojë se qiraxhiu do të kujdeset për shëndetin e tokës sikur të ishte e tija. E parë në këndvështrimin e një zhvillimi të qëndrueshëm bujqësor, veçorive të bujqësisë shqiptare e dominuar nga toka me pjerrësi të madhe dhe shkallë të lartë erozioni do ishte me shumë vlerë, ndryshe nga ç’propozohet në këtë projektligj, formulimi dhe aplikimi i politikave bujqësore shoqëruar me sloganin “Toka i takon atij që e mbron”. Dhe mbrojtësi më i mirë është i zoti i saj, jo qiraxhiu i zgjedhur jo dhe nga i zoti , por nga shteti, madje edhe qiraxhi me ankand. Ndërhyrja brutale e shtetit në pronësinë private të tokës bujqësore në mënyrë të padiskutueshme do të gjeneroj konflikte të shumta sociale në fshat, qoftë për arsye ekonomike, por edhe psikologjike. Konfliktet do të jenë së pari brenda familjes rurale, përfshi dhe pjesëtarët të saj në emigracion, teksa dihet lidhja e fortë e familjes fermere me tokën. Konflikte të padiskutueshme do të lindin midis pronarëve realë dhe qiramarrësve, pronarëve dhe shtetit, qiraxhinjve dhe shtetit, të përfaqësuar nga lloj-lloj tipash të komunave që do përpiqen të rrëmbejnë ç’të munden nga ky shans që u jepet për të bërë ankande me tokat e bashkëfshatarëve. Abuzimet nga të gjitha palët do të jenë të panumërta, ku do fitojnë më të paskrupulltit. Ushtria e administratës shtetërore që do të shtohet për të matur kilet e domateve e prasëve jo vetëm që nuk do jetë kurrë në gjendje ta bëjë këtë gjë, por do thithë padrejtësisht fonde shtesë nga shteti. Të vetmit që do kenë përfitim të “ndershëm” do të jenë gjykatat. Por shtetit nga ana tjetër do t’i duhet të shtojë kapacitetet mbajtëse dhe buxhetet përkatëse për burgjet e fshatarëve të dënuar nga këto gjykata. Nuk dihet ku është gjetur ky model prej qeverisë sonë, por dihet që politikat në vendet e BE-së janë totalisht të orientuara në të kundërtën. Në shumë hapësira bujqësore, sidomos në zona marxhinale fermerët paguhen për të mos e punuar tokën, por ta mbrojnë atë.

Por si do e shtojmë prodhimin bujqësor e do ta bëjmë vitale këtë sektor jetik të ekonomisë së vendit?

Kjo ka vetëm një përgjigje. Ndërtimi i politikave të zhvillimit rural të qëndrueshëm. Nuk ka bujqësi vitale pa një fshat vital dhe një zhvillim hapësinor të barabartë, ku zonat më pak të favorizuara mbështeten më fort. Kjo nuk po ndodh në Shqipëri edhe pse politika të tilla janë hedhur në strategji qeverish qysh në vitin 1998 (autori ka drejtuar grupin e zhvillimit të qëndrueshëm të Strategjisë së Bujqësisë, në vitin 1998 pranë Ministrisë së Bujqësisë). Në fakt, braktisja dhe rrënimi konstant i zonave rurale ka vazhduar. Të gjithë e dinë që fermat e mëdha janë më efektive. Megjithatë, për shumë e shumë arsye Shqipëria nuk do të ketë mundësi ndoshta dhe për dekada të tëra që madhësia e fermës të kaloj 2 ha. Në mënyrë që edhe Shqipëria të përfitojë nga ana e ekonomisë së shkallës në bujqësi mbetet si e vetmja rrugë ajo e kooperimit. Kuvendi i Shqipërisë ka qysh në vitin 1996, që ka miratuar një ligj për zhvillimin e kooperativave (ligji nr.8088, datë 21.3.1996. Për Shoqëritë e Bashkëpunimit Reciprok), por qysh atëherë akoma nuk kemi funksionale ndonjë kooperativë. Vetëm së fundmi po vihet re një vëmendje e politikës për kooperimin dhe një draftligji i ri për kooperativat bujqësore është gati për t’u miratuar në qeveri e Kuvend. Përsëri ka shumë të ngjarë që ky ligj të bëhet frenues, në vend që të bëhet nxitës për krijimin e kooperativave bujqësore (kryesisht në aspektin e kooperimit në marketing). Në thelb edhe me këtë ligj të ri fermerët që grupohen për të tregtuar prodhimet së bashku diskriminohen krahasuar me fermerët individualë. Nëse disa fermerë individualë dalin në treg veç e veç nuk tatohen për produktet që shesin. Nëse këta fermerë dalin së bashku në treg nëpërmjet kooperativës duhet të paguajnë të gjitha taksat e një biznesi të mirëfilltë. E pakta që shteti duhet të bëjë është t’i japë kooperativës statusin e njëjtë me të fermerit individual në lidhje me detyrimet ndaj shtetit. Nuk mund të neglizhohet që faktori kryesor i lënies së tokave pa punuar është mungesa apo pasiguria e gjetjes së tregut për prodhimet e pritshme. Kjo është arsyeja më e përsëritur e fermerëve lidhur me moskultivimin e tokës. Instrumenti më i fuqishëm që ndihmon në qëndrueshmërinë e tregjeve për fermerët janë kooperativat tregtare. Dhe vetë organizimi në kooperativa do të bëjë të mundur vënien në eficensë të tokave të papunuara, pasi kooperativat do të lëvizin me shpejtësi drejt sistemeve kontraktuale të marrëdhënieve tregtare. Natyrisht, faktor bazë mbetet zbatimi i tërësisë së masave në terma konkretë të politikave të zhvillimit rural të qëndrueshëm.

Sekreti i shtimit të prodhimit është sigurimi i një lidhjeje më të fortë e të qëndrueshme të zotëruesit të tokës me vetë tokën dhe jo vendosja e kolonëve të tenderuar qofshin këta dhe endogjenë, qofshin këta dhe të përkohshëm.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›