E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panik dhe pasiguri te biznesi, kërkohet marrja e masave urgjente

Situata Dhoma e Tregtisë, Tiranë: Të rishikohen kreditë me bankat

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, pas një vlerësimi të situatës ekonomike, gjykon se paniku dhe pasiguria ka përfshirë të gjithë sektorët e ekonomisë. Kriza ekonomike po godet çdo ditë bizneset, të cilat nuk po munden të ngrenë kokë për shkak të kostove të larta të krijuara nga banka apo tregjet e huaja. Ulja e tregtisë me jashtë, frenimi i rritjes së ekonomisë, reduktimi i remitancave, zhvlerësimi i vazhdueshëm i lekut dhe buxheti i dobët i shtetit po shkaktojnë presione negative të biznesit. “Një shenjë e pastër dhe e dukshme e krizës është edhe rishikimi i buxhetit me synim shkurtimin e shpenzimeve në masën 5% tani, kur ky buxhet nuk është bërë akoma operacional. Ky veprim do të thotë më pak aktivitet për biznesin, me pak të ardhura për kompanitë që administrojnë atë, më pak të ardhura për familjet e punonjësve të këtyre ndërmarrjeve dhe përkeqësim të standardit të jetesës në vend”, deklaroi dje Dhoma e Tregtisë, Tiranë. “Fatkeqësisht, pothuajse në të gjithë sektorët sundon një ndjesi paniku dhe pasigurie”, nënvizon kreu i Dhomës, Nikolin Jaka. Duke vërejtur gjithë këtë problematikë të ardhur nga vetë biznesi dhe pas konsultimeve me shoqatat e ndryshme, Dhoma e Tregtisë propozon hartimin e një paketë ekonomike e financiare që do të ndihmojë drejtpërsëdrejti kompanitë më të goditura. “Ne kërkojmë negocim me sistemin bankar të nivelit të dytë për të marrë në konsideratë situatën e marrëdhënieve me klientët e tyre, pra bizneset, të cilat duhen ndihmuar duke zbutur kushtet dhe kriteret e vendosura për likuidimin e tyre”, është një kërkesë e biznesit, duke ftuar qeverinë si ndërmjetëse e këtij procesi.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›