E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti “lëpin” atë që kishte “pështyrë” për OSSHNga TemaMinistri i Ekonomisë, Dritan Prifti, e quajti mjaft të suksesshëm privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes, ndryshe nga sa kishte deklaruar, kur ishte në opozitë e madje edhe kur mori detyrën.

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Prifti “lëpin” atë që kishte “pështyrë” për OSSHNga Tema

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, e quajti mjaft të suksesshëm privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes, ndryshe nga sa kishte deklaruar, kur ishte në opozitë e madje edhe kur mori detyrën. Në një konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur akuzave të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, ai tha se ky privatizim është më i suksesshmi. Prifti tha se që nga periudha kur kjo kompani ka marrë përsipër sistemin e shpërndarjes, uljet janë ulur ndjeshëm dhe ajo po investon mbi 60 milionë dollarë.

Prifti tha se çmimin e energjisë nuk e vendos qeveria, por një ent i pavarur. Ai shtoi se megjithatë, qeveria ka parashikuar masa sociale në rast të rritjes së energjisë.

Ditën kur mori lajmin se do të zgjidhej në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Prifti do deklaronte se do të rishikonte kontratën për shitjen e OSSH.

“Është e vërtetë që kam qenë kritik ndaj këtij privatizimi, pasi është shitur realisht lirë, por në kushtet e sotme, kur unë të filloj punën, do të rishikoj këtë kontratë, nëse ka vend për përmirësime dypalëshe. Në ditët e sotme, ne duhet t’i japim biznesit optimizëm dhe jo shembuj negativë, ndaj nuk mund të flasim për anulime kontrate”, - u shpreh Prifti.

Ndërsa, kur ishte në opozitë, Prifti deklaronte se privatizimi i OSSH ishte një skandal.

“Ky çmim real duket që është rreth 70 milionë euro për një ndërmarrje që ka një vlerë tregu të paktën 1 miliard euro. Pra, shikojeni vetë se çfarë çmimi qesharak është dhënë për këtë ndërmarrje, që është kapital i gjithë shqiptarëve, ku të gjithë me vite me radhë kanë kontribuar. Pra, vlera, me të cilën po shitet, është skandaloze, shumë e ulët, dhe e dyta, ka pasur shkelje flagrante ligjore në procesin e privatizimit”, - theksonte Prifti në mars të këtij viti.

“Menjëherë pas zgjedhjeve, me ardhjen tonë në qeveri, ky do të jetë një nga privatizimet që do të rishikohet menjëherë prej nesh, sepse është një privatizim skandaloz, në të gjitha aspektet. Edhe në aspektin e vlerës, që shitet të paktën 7-8 për qind të vlerës reale të tregut të kësaj kompanie, dhe në aspektin e shkeljes së ligjeve të prokurimeve dhe tenderëve në Shqipërisë”, - do të shtonte Prifti. Sipas tij, “ndryshimi i kushteve të tenderit është totalisht i papranueshëm për ligjet e shtetit shqiptar”.

“Kjo bëhet tani, nuk besoj se bëhet për interesa të tjera, përveçse për interesa të jashtëligjshme, për interesa korruptive, për interesa abuzive 3 muaj para zgjedhjeve”.

Sipas Priftit, njerëzit që e drejtojnë atë ndërmarrje “do të vazhdojnë të bëjnë tenderë, do të vazhdojnë të vjedhin, do të vazhdojnë të abuzojnë dhe ne të vetmen mënyrë për t’i ndaluar kemi 28 qershorin, duke i larguar nga pushteti dhe duke i hetuar këto abuzime”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›