Rama: Shteti ka dështuar me energjinë, Berisha kujdeset vetëm që t’ia shesë FazlliçitNga TemaPartia Socialiste zhvilloi dje një tryezë me ekspertë të saj, por edhe të pavarur, me temë: “Energjia, Rritja e çmimit, Efekti social”. Duke folur në këtë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama: Shteti ka dështuar me energjinë, Berisha kujdeset vetëm që t’ia shesë FazlliçitNga TemaPartia Socialiste zhvilloi dje një tryezë me ekspertë të saj, por edhe të pavarur, me temë: “Energjia, Rritja e çmimit, Efekti social”.
Duke folur në këtë tryezë, Rama tha se shteti ka dështuar në këtë fushë prej 19 vjetësh.
“Shteti ka dështuar në krijimin dhe mirëfunksionimin e një modeli normal të tregut të energjisë. Shteti ka dështuar në garantimin e një niveli të arsyeshëm të pavarësisë energjitike të vendit. Shteti ka dështuar në rritjen e burimeve energjitike të vendit. Shteti ka dështuar në rritjen e kapaciteteve transmetuese të energjisë elektrike në vend. Shteti ka dështuar në integrimin e sistemit tonë energjitik me atë të rajonit. Shteti ka dështuar në menaxhimin e sistemit energjitik - keqmenaxhim. Ka dështuar në transparencën e prokurimeve për energjinë - asnjë transparencë. Ka dështuar në asgjësimin e lidhjeve të paligjshme dhe në evidentimin e dënimin e grabitësve të energjisë elektrike - konformizëm me fenomenin e grabitjes për interesin politik të ditës”, - tha Rama.
Ai akuzoi Berishën se shitjen e energjisë e ka kthyer në një rreth të mbyllur mes tij dhe sekserit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç.
“Në sloganin “Energjia e munguar është energjia më e shtrenjtë”, Sali Berisha në fakt arriti majat e korrupsionit në prokurimin e energjisë elektrike duke e kthyer shitblerjen e energjisë në një rreth të mbyllur mes pushtetit të Familjes dhe sekserit të Familjes. Sali Berisha ka deklaruar se vendi do të bëhet superfuqi energjitike dhe ka folur për të gjitha llojet e energjive, përfshirë të gjithë gamën, nga energjia bërthamore tek ajo e prodhuar me qymyrguri, por në fakt sistemi energjitik shqiptar është katandisur nën pushtetin e tij në një gjenerator të korrupsionit, të rritjes së humbjeve në kurriz të atyre që e paguajnë energjinë sot dhe të të gjithë shoqërisë që do të duhet të paguajë nesër borxhet e interesit politik të ditës, si edhe të pasigurisë përballë rritjes së çmimit të këtij malli jetik kaq shumë të abuzuar në Shqipërinë e 19 vjetëve të fundit”, - tha Rama, që u ndal dhe më gjatë te çështja e rritjes së çmimit.
“Prej disa javësh të tre operatorët që realizojnë furnizimin me energji elektrike kanë kërkuar rritje të çmimit të pjesës që kanë në administrimin. Të tria kërkesat do të ndikojnë në çmimin me pakicë. Përveç shpërndarjes, prodhimi dhe transmetimi janë nën administrim publik. Të dy operatorët publikë së bashku kanë kërkuar të rrisin më shumë se 50% pjesën e tyre të çmimit.
Kjo është edhe arsyeja e hapjes së këtij debati mbi çmimin e energjisë dhe efektet sociale të rritjes së tij, që Partia Socialiste inicion sot e do të vijojë në javët e muajt në vazhdim.
Në fakt, rritja e çmimit të energjisë nuk përbën më lajm për shqiptarët. Ata janë mësuar të kenë rritje vit pas viti. Ajo që në fakt shqiptarët presin të përbëjë lajm është të dëgjojnë:
Kur do të përfundojë faturimi aforfe? Kur do të instalohen të gjithë matësit? Kur do të largohet nga jeta e qytetarit shqiptar faturuesi i fundit abuzues?
Kur do të mbarojnë humbjet joteknike në sistemin energjitik shqiptar? Instituti i Statistikave raporton se në 6 muajt e parë të vitit 2009 humbjet janë më të larta se një vit parë. Banka e Shqipërisë raporton se në 8 muajt e parë të vitit 2009 humbjet janë më të larta se një vit më parë.
Kur do të rriten kapacitet transmetuese të importimit të energjisë elektrike? Këto kapacitete mbahen të kufizuara vetëm që importimi të bëhet përmes disa duarve të caktuara.
Kur do të vdesë monopoli që kontrollon importin e energjisë elektrike?
Kur do të vihet në zbatim një skemë transparente, e drejtpërdrejtë dhe e ndershme e subvencionimit të buxheteve të familjeve të varfra që preken direkt nga shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike? Fakti është se çdo vit lekët e destinuara për këtë problem kanë devijuar në drejtime të tjera”, - tha Rama.
“Mjaft!”: Qeveria të mos pranojë rritjen e çmimit të energjisë
Lëvizja “Mjaft!” kërkoi dje që qeveria të mos marrë parasysh kërkesat e bëra nga kompania çeke që ka marrë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike në masën 31% përkthehet në një rritje të papërballueshme për ata konsumatorë familjarë që deri më tani mbroheshin nga fasha e parë e konsumit prej 300 kWh. Energjia elektrike tashmë në të gjitha vendet e industrializuara konsiderohet një domosdoshmëri jetike, pikërisht për këtë arsye lëvizja “Mjaft!” e shikon të papranueshme që qeveria shqiptare, e cila pretendon aderimin në Bashkimin Evropian, të mos sigurojë mbrojtje për më të varfrit mes nesh. Shqipëria e vërtetë është ajo e të paktën: 393 085 qytetarëve që jetojnë me më pak se 5000 Lekë/muaj; 38 040 qytetarëve që jetojnë në varfëri ekstreme me më pak se 200 Lekë/ ditë; 141 499 të papunëve të regjistruar; 33 555 familjeve që jetojnë me 3 746 Lekë/muaj ndihmë të plotë ekonomike; 0 579 familjeve që jetojnë me 3114 Lekë/muaj ndihmë të pjesshme ekonomike; 524 000 pensionistëve me të ardhura mesatare 7240 Lekë/muaj.
Pretendimi i kompanisë “ĈEZ Albania” paraqitet absurd, kur shqiptarët sakaq e paguajnë energjinë elektrike rreth 400% më shumë se çmimi i prodhimit dhe transmetimit të saj. Qeveria shqiptare nuk duhet të tentojë të fshehë raportet ndërkombëtare që shfaqin vështirësitë ekonomike të vendit, por duhet të njohë problemet dhe të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë.
Lëvizja “Mjaft!” e konsideron marrjen parasysh nga qeveria shqiptare të kërkesave të “ĈEZ Albania” një papërgjegjshmëri sociale, ndaj i bën thirrje qeverisë të refuzojë kërkesat e paraqitura nga kjo kompani si të pajustifikuara dhe të tregojë vëmendje ndaj mbrojtjes së qytetarëve të saj, veçanërisht të atyre që jetojnë në kufijtë e varfërisë”, - thuhet në një deklaratë të lëvizjes “Mjaft!”