Prifti, letër Lohanit: “Bllokoni groposjen e arsenikut në Fier”
Nënkryetari dhe deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, i ka shkruar një letër ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan. Në këtë letër Prifti kërkon nga Lohan që të bllokojë projektin e financuar nga Komisioni Europian për groposjen e lëndës së arsenikut në afërsi të qytetit të Fierit. Në këtë letër, Prifti thekson se groposja e arsenikut në këtë zonë përbën kërcënim dhe rrezik të madh për shëndetin e banorëve të zonës. “Dëshiroj të ndaj me Ju një shqetësim serioz të komunitetit të rrethit të Fierit në lidhje me projektin e groposjes së arsenikut (CDF), të cilin Komisioni Europian po e financon. Ky projekt, të cilin Ju po e financoni nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, ka qëllim të mirë, por me zgjedhjen e vendit të groposjes rreth 1 km larg nga qendra e qytetit të Fierit, ai përbën një kërcënim shumë të madh ndaj shëndetit të komunitetit Fierak. Si deputet i ardhur në Parlament me votat e rrethit të Fierit, me shumë mirësjellje Ju kërkoj që të bllokoni menjëherë financimin për projektin dhe të filloni procesin e gjetjes së një tjetër vendi për arsenikun. Do të kërkoj të njëjtën gjë nga qeveria jonë, por nuk kam besim që kjo qeveri do të bëjë ndonjë gjë për ta ndalur këtë groposje në vendin ku është caktuar”, - shkruan Prifti në letrën drejtuar ambasadorit Lohan.
6 Qershor 2008