E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli shantazhon deputetët me dosjet e Sigurimit të Shtetit



Eljona Ballhysa

Në kulmin e debatit politik për mocionin e tretë të opozitës për të larguar Jozefina Topallin nga posti i kryetares së Kuvendit, kjo e fundit rihap debatin për dosjet e spiunëve. Topalli ka deklaruar dje në seancë se si kryetare e Kuvendit ka shumë informacion për secilin prej deputetëve. Ajo tha se shumë shpejt do të hapen dosjet e spiunëve të regjimit komunist. Një deklaratë e tillë e Topallit erdhi si reagim ndaj deklaratës së deputetit opozitar Namik Dokle. Pas fjalimit të një prej deputetëve të PD-së, i cili ngriti lart vlerat e Topallit në krye të Kuvendit, Dokle u shpreh se në të gjithë këtë fjalim mungonte dosja e spiunit. Pas kësaj deklarate ka reaguar Topalli, e cila është shprehur se shumë shpejt do të hapen dosjet për të gjithë deputetët. “Edhe dosjet do t’i hapim për të gjithë, por do të votojmë variantin e PD-së, jo të PS-së. Mos harroni se po flisni me kryetaren e Kuvendit. Besoj se ju e dini shumë mirë se sa shumë gjëra dinë kryetarët e Kuvendit”, - është shprehur Jozefina Topalli. Një deklaratë e tillë e saj vjen pikërisht në një kohë kur opozita kërkon largimin e saj nga posti i kryetares së Kuvendit.
Dosjet
Nga ana tjetër, debati për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të shërbimit sekret gjatë regjimit komunist rihapet sa herë që kërkohet të tërhiqet vëmendja nga debatet që janë aktuale në skenën e politikës. Aktualisht tre institucionet kryesore në vend, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti, janë në konflikt për shkak të mosshqyrtimit të dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Nga ana tjetër, opozita po përgatit mocionin e tretë radhazi brenda 3 vitesh për largimin nga posti të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Pikërisht në një situatë në nxehtë politike rikthehet në vëmendje hapja e dosjeve të spiunëve, kur dihet që në Kuvend prej vitesh qëndrojnë të depozituara tre variante për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të regjimit të shtetit.
Variantet
Katër vjet më parë, në vitin 2004, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, depozitoi projektligjin e tij për të bërë publike dosjet e personave publikë dhe që kanë peshë në vendimmarrje. Projekti i Ndokës parashikon deklarimin nga të gjithë personat që kërkojnë të bëjnë karrierë politike ose të mbajnë poste të rëndësishme në vendimmarrje nëse kanë qenë ose jo bashkëpunëtorë të shërbimit sekret të shtetit në kohën e regjimit komunist. Sipas këtij projekti, këta persona nuk pengohen të kandidojnë për deputetë ose për të zgjedhur vendorë, por votuesit duhet të njihen me të vërtetën për këta persona dhe u jepet atyre e drejta për të vendosur. Përveç projektit të PDK-së, në Kuvend është depozituar edhe një draft i përgatitur nga Partia Demokratike dhe fill pas PD-së reagoi Partia Socialiste, e cila hartoi një tjetër projektligj po për të njëjtën çështje. Megjithëse debati për hapjen e dosjeve trumbetohet me të madhe nga të dyja kampet e politikës, ende nuk është ndërmarrë ndonjë nismë konkrete për diskutimin e tre projektligjeve që dergjen prej kohësh në sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë. Palët shprehen të gatshme dhe se mbështesin zbardhjen e të vërtetave të hidhura të regjimit komunist, por qëndrimi i tyre nuk shkon përtej deklaratave publike për mediat.

Topalli-Dokle për hapjen e dosjeve
Dokle: “Vetëm dhjetë sekonda do të flas. Ajo që mungonte në fjalim ishte dosja e spiunit”.
Topalli: “Edhe dosjet do t’i hapim për të gjithë, por do të votojmë variantin e PD-së, jo të PS-së. Mos harroni që po flisni me kryetaren e Kuvendit. Ju e dini shumë mirë se sa shumë gjëra dinë kryetarët e Kuvendit”.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›