Prifti merr këshilltar njeriun që kontrollon biznesin e mineraleve dhe hidrokarbureveNga Tema Eduard Belegu, anëtar i KDK të LSI, është njeriu që ka në pronësi apo është aksionar në shumë firma që merren me industrinë minerare dhe atë të hi
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Prifti merr këshilltar njeriun që kontrollon biznesin e mineraleve dhe hidrokarbureveNga TemaEduard Belegu, anëtar i KDK të LSI, është njeriu që ka në pronësi apo është aksionar në shumë firma që merren me industrinë minerare dhe atë të hidrokarbureve
Kabineti i ministrit të Ekonomisë dhe të Energjitikës është shndërruar në folenë më domethënëse të mënyrës se si do të punojë kjo ministri. Ministri Prifti ka emëruar për këshilltar kryesor të tijin Eduard Belegun, i cili është aksionar, pronar dhe përfaqësues ligjor në kompani që merren me shfrytëzim minierash, hidrokarburesh, import dhe eksport mineralesh dhe pajisjesh për miniera, guroresh, tregtim lubrifikantësh etj.
Praktikisht, z. Belegu është i përfshirë në të gjitha llojet e bizneseve që kanë të bëjnë me Ministrinë e Ekonomisë dhe ç’është më e rënda, ai është një njohje e vjetër e ministrit të Ekonomisë, pasi ai ka qenë drejtues dhe përfaqësues ligjor i kompanisë famëkeqe “Darfo”, e cila ka marrë në vitin 2001 të drejtën koncesionare të shfrytëzimit të minierës së kromit në Bulqizë. Duhet thënë se tërë dokumentacioni i këtij koncesioni është përpiluar nga qeveria e atëhershme Meta. Koncesioni, ndër më të këqijtë në Shqipëri, ka qenë ai i “Darfo”-s. Kjo kompani shfrytëzoi pa skrupull punëtorët dhe minierën dhe nuk investoi as 1% të asaj që kishte parashikuar në kontratë me qeverinë. Janë në memorien e qytetarëve vdekjet në galeritë vrasëse të “Darfo”-s. Qeveria e zotit Berisha premtoi ta çlirojë Bulqizën dhe minatorët nga ky makth, madje u fol për gjoba të jashtëzakonshme që do të merrte “Darfo”. Në fakt, “Darfo” u detyrua ta shesë koncesionin, por këshilltari i tashëm i Dritan Priftit mbeti aty përfaqësues. Edhe Ilir Meta u shfaq i përulur para minatorëve në fushatë, kur u fut në galeri e bëri premtime për ta, duke pasur në partinë e tij e tashmë në qeveri njeriun që ka përfituar prej vdekjes dhe vuajtjeve të tyre.
* * *
Është e frikshme lista e bizneseve ku është aksionar, përfaqësues ligjor apo drejtues këshilltari i ministrit Prifti. Po përmendim disa prej tyre: përfaqësues ligjor i “Albania Chrome” ku “Darfo” ka 100% të aksioneve, përfaqësues ligjor tek “Albania Mineral Group”, e cila merret me shfrytëzim minierash, import-eksport mineralesh të të gjitha llojeve, shfrytëzim guroresh dhe ku 81% të aksioneve i ka këshilltari i z. Prifti. Po ashtu, Belegu është përfaqësues ligjor dhe pronar i gjithë aksioneve të RE-EBEL, e cila merret me tregtim me pakicë të karburanteve dhe gazit. Këshilltari i z. Prifti është aksionar te kompania “Gerold” sh. p. k., e cila merret me shfrytëzim minierash, punime gjeodezike, rilevime topografike dhe import lëndësh plasëse.
Një tjetër kompani ku këshilltari kryesor i ministrit të Ekonomisë është aksionar është “Kuarci Blace” që merret me tregtim, import-eksport ferrokromi, koksi metalurgjik, qymyr, skrap dhe mbetje metalike.
Është e qartë se ministri Prifti ka gati një skemë të qartë se si do të kontrollojë çdo qindarkë që mund të fitohet në sektorin e minierave dhe të koncesioneve në Shqipëri. Ai, me sa duket, i ka pasur gati bashkëpunëtorët. Nuk mund të flitet më për konflikt interesi, por shumë tepër. Belegu është anëtar i Komitetit Drejtues Kombëtar në LSI dhe ka qenë kandidat i kësaj partie për zgjedhjet e vitit 2005 dhe ato të vitit 2007 në zonën 86, ku fitoi një numër të konsiderueshëm votash.
1.
Emri i subjektit: “Albanian Chrome” sh. p. k.
Objekti: Minierë, prodhim ferro-kromi, import-eksport etj
Ortak: “Darfo” me 100% të aksioneve
Përfaqësues ligjor: Eduard Belegu
2.
Emri i subjektit: “Albania Mineral Group”
Objekti: Shfrytëzim i mineraleve të grupeve 1, 2, 3, 4, projektim dhe ndërtim minierash dhe karierash, konsulencë, import-eksport mineralësh dhe pajisjesh për minierat dhe karierat, transport nacional dhe internacional mallrash
Përfaqësues ligjor: Eduart Belegu
Ortak: Eduard Belegu me 81% të aksioneve
3.
Emri i subjektit: RE -EBEL
Objekti: Import-eksport dhe tregtim me pakicë i hidrokarbureve, lubrifikantëve, gazit të lëngshëm
Përfaqësues ligjor: Eduard Belegu
Ortak: Eduart Belegu me 100% të aksioneve
4.
Emri i subjektit: “Gerold” sh. p. k.
Objekti: Shfrytëzime minerare, punime gjeodezike, rilevime topografike, import eksport të mallrave të ndryshme, import të lëndëve plasëse
Ortak: Eduard Belegu me 4% të aksioneve
5.
Emri i subjektit: Kuarci Blace
Objekti: Tregtim import, eksport ferro-kromi, koksi metalurgjik, qymyr, skrap, mbetje metalike
Ortakët: Eduard Belegu me 2% të aksioneve
Iliriana Belegu me 49% të aksioneve