E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytja në Shkodër, për 3 ditë mbyllet lista e dëmeve



SHKODER/ RITVAN DIBRA

Brenda tri ditësh përfundon puna për evidentimin e dëmeve të përmbytjeve të fundit në qarkun e Shkodrës. Dosjet me këto të dhëna do t’i dërgohen më pas Këshillit të Ministrave për përcaktimin e shumës së dëmshpërblimit të përmbytjeve.Deri tani është verifikuar rreth 90 % e sipërfaqes që u mbulua nga uji. Sekretari i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, Besnik Kastrati, doli dje në një konferencë për shtyp, për të bërë të njohura veprimet e fundit nga grupi i verifikimit të dëmeve që u shkaktuan gjatë muajve shkurt dhe mars të këtij viti. Sipas Kastratit janë 7 grupe pune që po verifikojnë pronat e 1500 familjeve, të cilat pësuan dëme nga vërshimi i ujërave në qarkun e Shkodrës. Mësohet se janë analizuar dëmet në 950 hektarë tokë nga 1200 që pretendohet se janë përmbytur gjithsej në shkallë qarku. Në fjalën e tij Kastrati ka theksuar edhe një herë se këto grupe pune kanë si objektiv kryesor konstatimet e dëmeve të fermerëve shkodranë kryesisht në fushën e bujqësisë, pasi gjatë përmbytjeve të fundit nuk ka pasur dëmtime në banesa apo pajisje e orendi shtëpiake. “Pas procesit të përcaktimit të nivelit të dëmeve, dokumentacioni përkatës do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave, i cili në bazë edhe të formularëve përkatës do të përcaktojë në mbledhjen e Qeverisë shumën përfundimtare që këto 1500 familje do të përfitojnë si dëmshpërblim për përmbytjen e dytë dhe të tretë”, ka pohuar Kastrati. Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe grupet e punës kanë marrë në shqyrtim edhe ankesat e qytetarëve, të cilat kanë të bëjnë me përmbytjen e parë të fillimvitit. “Nga 4152 familje të prekura nga përmbytjet e janarit në qarkun e Shkodrës pranë Këshillit të Qarkut janë regjistruar dhe rishqyrtuar 200 ankesa, nga të cilat 55 ankesa kanë rezultuar të jenë të drejta. Pas rishikimit të dokumentacionit është parë që ka gabime, por të karakterit njerëzor, ndaj dhe listat e tyre i janë dërguar Qeverisë për të përcaktuar shifrat e dëmshpërblimeve për secilin rast”, u shpreh Kastrati. Gjatë përmbytjes së ndodhur në janar, kur dhe niveli i prurjeve dhe shkarkimeve në hidrocentrale ishte më i madh, pësuan dëme mbi 4 mijë familje. Atyre iu dëmtuan shtëpitë, u ngordhën bagëti e iu prishën rezervat ushqimore. Ndërsa në përmbytjet e fundit, reshjet ndikuan direkt në dëmtimin e të mbjellave të pranverës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›