E Diel, 1 Nëntor 2026

Ivanov flet me Topin:S’mjafton shkarkimi i një oficeri grek



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij maqedonas, Ivanov, ku dy krerët e shteteve kanë ndarë shqetësimin mbi ngjarjen e ndodhur në paradën ushtarake në Greqi, ku këndoheshin këngë fyese për shqiptarët, maqedonasit e turqit. Në këtë bisedë telefonike të kërkuar nga Presidenti maqedonas, Topi tha se kjo ngjarje nuk do të prekë marrëdhëniet mes Greqisë e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një çështje të tejkaluar. "Gjatë bisedës, Presidenti Ivanov shprehu shqetësimin për situatën e krijuar nga sjellja e disa ushtarëve grekë ditët e fundit ndaj vendeve fqinje. Topi i bëri të ditur Ivanovit se e konsideron atë si një ngjarje të izoluar, e cila nuk prek kurrsesi marrëdhëniet e mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe e konsideron atë si një çështje të tejkaluar, i bindur se marrëdhëniet mes vendeve tona po zhvillohen gjithnjë e më mirë në funksion të interesave të përbashkëta", - thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës, duke shtuar më tej se Topi vlerësoi edhe ndjesën e autoriteteve greke për ngjarjen. Ndërkaq, bisedën me Presidentin Topi e ka komentuar për mediat maqedonase kreu i shtetit maqedonas, Ivanov. "Për momentin, kur të gjithë presim të jemi të bashkuar dhe të përqafojmë standardet e vlerat evropiane, pikërisht kjo shqetëson edhe Presidentin Bamir Topi. Neve ndamë mendime të përbashkëta për këtë rast dhe nuk mjafton vetëm shkarkimi i një oficeri. Mendoj se është koha jo vetëm për shkarkime, por edhe për ndryshimin e sjelljes së Greqisë me fqinjët e saj, këtë presim prej tyre", deklaroi Presidenti Ivanov. Ai tha gjithashtu më tej se, ngjarja ishte shqetësuese dhe prek ndjenjat e shqiptarëve dhe maqedonasve.

PDU vlerëson Topin për çamët
Partia për Drejtësi e Unitet vlerësoi deklaratën e Presidentit Bamir Topi për nderimin e viktimave të komunitetit çam. "Na gëzon, sepse përbën një shenjë të mirë, të ardhur nga goja e kryetarit të shtetit shqiptar, por njëkohësisht na hidhëron, sepse na bën të kujtojmë se politika shqiptare sillet si fajtore në raport me Greqinë për çështjen çame e jo si shteti ku sot banojnë viktimat e vërteta të asaj tragjedie", - thuhet në deklaratë.

Flamuri grek digjet në Vlorë
Revolta spontane ndaj thirrjeve antishqiptare në kryeqytetin grek u pasua dje nga një grup të rinjsh në qytetin e Vlorës. Ata u grumbulluan në orët e mbrëmjes në "Sheshin e Flamurit", ku pas një proteste disaminutëshe, i vunë flakën flamurit të shtetit fqinj. Kjo protestë pasoi ato të zhvilluara në disa qytete të vendit, menjëherë pas publikimit të videos së ushtarëve grekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›