Cilësia në arsim, MASH konfirmon kontrolle mujore në shkollat 9 vjeçare
Shkollat 9-vjeçare të vendit, qofshin ato publike ose private do të kalojnë në sitën e Ministrisë së Arsimit, për cilësinë e tyre të mësimdhënies. Ministria e Arsimit ka vendosur që duke filluar që nga ky vit, të masë cilësinë e shkollave 9-vjeçare, për të bërë më pas edhe një renditje të tyre në shkallë kombëtare. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se shkak për marrjen e një vendimi të tillë janë bërë ankesat e vazhdueshme të prindërve, për cilësinë e
mësimdhënies në shkollat e arsimit të detyruar. Për rrjedhojë, ky dikaster ka vendosur që tu japë një përgjigje të saktë prindërve, si dhe ti orientojë ata në përzgjedhjen e shkollës se ku dëshirojnë të mësojë fëmija i tyre. Vendimi për vlerësimin e shkollave 9-vjeçare të vendit është marrë së fundi nga Ministria e Arsimit. Burime nga Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në këtë Ministri sqarojnë se pas përfundimit të procesit të vlerësimit do të bëhet edhe një renditje e këtyre institucioneve të arsimit të detyruar. Kështu, në krye të listës do të qëndrojnë emrat e shkollave më të mira të vendit për nga cilësia e mësimdhënies, ndërsa në fund do të jenë ato që do të rezultojnë pa cilësi. Për rrjedhojë, këto të fundit, do të jenë edhe shkollat që nuk do të kërkohen më nga prindërit për arsimin e fëmijëve të tyre, të cilët, pas njohjes së rezultateve të vlerësimit të shkollave, do të bëjnë të pamundurën që fëmija të mos mësojë në institucione pa cilësi. Tashmë janë përcaktuar edhe kriteret, që duhet të plotësojnë shkollat për tu renditur në krye të listës së klasifikimit sipas cilësisë. Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, me procedurat e vlerësimit të shkollave do të merren drejtoritë arsimore rajonale të vendit, të cilat do të ngarkojnë inspektorë të posaçëm për këtë çështje.
Last Updated on E Hene, 25 Janar 2010 21:36