E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Policia pararojë në hapat integrues

14/01/2011  Deklarata e ministrit të Brendshëm në 98-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit

Kryepolici Burgaj: Ky përvjetor e gjen policinë më efikase e të trajnuar

TIRANË- Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit ka festuar dje në ambientet e saj 98-vjetorin e krijimit të Policisë Shqiptare. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë ceremoni, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, vlerësoi punën e palodhur, vetëmohuese të çdo efektivi të Policisë së Shtetit nga nivelet e larta drejtuese deri tek nivelet bazë. “18 vjet pasi iu dha fund disa prej misioneve më famëkeqe të diktaturës, siç ishte edhe mbrojtja e izolimit të vendit me çdo kusht, kjo organizatë, Policia e Shtetit, mund të krenohet, çdo punonjës i kësaj organizate mund të krenohet me faktin se janë ata, ishin ata dhe mbeten ata në pararojë të zgjerimit të hapësirës së shqiptarëve, të zgjerimit të lirive të shqiptarëve nëpërmjet procesit historik që ne sot gëzojmë, atë të heqjes së vizave. Për këtë arsye dua të nderoj në mënyrë të veçantë punën e palodhur, vetëmohuese të çdo efektivi të Policisë së Shtetit nga nivelet e larta drejtuese deri tek nivelet bazë operative dhe të shpreh bindjen time të thellë sot, jo vetëm si ministër i Brendshëm, por edhe si qytetar i këtij vendi dhe mirënjohjen time të thellë, besoj dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për punën tuaj që çoi në realizimin e këtij objektivi madhor dhe që çon sot në shijimin e ditëpërditshëm të kësaj lirie të rifituar për miliona e miliona shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, nëpërmjet rënies së murit të Shengenit që ndante familjet e tyre dhe nëpërmjet rikthimit të dinjitetit evropian qytetarëve tanë”, theksoi Basha. Ndërkohë edhe Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, tha se “Sot, përvjetori i 98-të e gjen Policinë e Shtetit me legjislacion bashkëkohor dhe të përqasur me standardet e vendeve të BE-së; me politika e strategji reformuese; organizim efikas dhe fleksibël; personel të trajnuar mirë e të aftë për të kryer detyrat; infrastrukturën dhe logjistikën e nevojshme; me arritje e progres mbresëlënës në luftën kundër krimit; kufij të sigurt, rend publik, etj”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›