E Shtunë, 31 Tetor 2026

Princ i Bërrakës

Edmond Tupja 

Pa më të voglin dyshim, nderimi që sapo iu bë në Spanjë shkrimtarit tonë kombëtar Kadare me dhënien e titullit prestigjioz  “Princ i Asturias”,  përbën një ngjarje madhore në historinë e letrave shqipe në pritje, ndoshta, të çmimit Nobel, përse jo, edhe për ndonjë shkrimtar shqiptar! Me të mësuar këtë lajm, shumë shqiptarë, brenda e jashtë vendit, u gëzuan, ca të tjerë mund të jenë treguar indiferentë ose kanë rrudhur buzët për motive të dobëta, të tjerë akoma, sidomos shkrimtarë të kategorive të ndryshme, do të jenë zilepsur së brendshmi dhe/ose së jashtmi, çka më duket e natyrshme, por jo fort normale.  Personalisht, m’u kujtua koha – ishte viti 1970 – kur u botua për herë të parë Kadareja i ri në Francë; asokohe, suksesin që pati, pra, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” te lexuesi francez, disa shkrimtarë shqiptarë, politikisht shumë korrektë, nxituan t’ia vishnin meritës së përkthyesit, të paarritshmit Jusuf Vrioni, dhe këmbëngulën pranë tij që ai t’u përkthente në frëngjishte këtë apo atë libër, çka m’u duk vërtet qesharake.
Pa e ditur fare se ç’ka ndër mend të organizojë Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë me rastin e kësaj ngjarjeje (që përbën një eveniment, made edhe event, siç thuhet sot në një shqipe të përçudnuar nga snobordhacët që kanë pushtuar mediat e vendit), por me qëllimin fisnik që të shmangë mendësi, pakënaqësi, zili apo lajthitje të ndonjë natyre tjetër, fort e nderuara Akademi e Republikës autonome të Bërrakës, në bashkëpunim me Academy of Limouth Bridge (në shqipe Ura e Limuthit) dhe me Institute of Zaranic Bridge (në shqipe Ura e  Zaranikës), ka menduar të japë edhe ajo një çmim apo titull prestigjioz të paktën sa një e gjashtëdhjetë e nënta e atij që sapo mori Kadareja. Sipas disa burimeve jozyrtare, por të besueshme, parmbrëmë vonë, pas debatesh të gjalla, por jo rrallëherë edhe të ndezura, u vendos me shumicë të kualifikuar votash që titulli, me të cilin do të nderohej shkrimtari i përzgjedhur nga e lartpërmendura Akademi në bashkëpunim me dy organizmat e tjerë, të ishte pikërisht “Princ i Bërrakës”. Dikush nga Bërraka, madje, më telefonoi po atë mbrëmje vonë (meqë prej gati 15 vjetësh jam banor besnik i Bërrakës), të cilit ia njoha menjëherë zërin: ishte zoti Xim Çukullata, rektor i Bërraka University dhe bashkëpresident nderi i Akademisë në fjalë, i cili donte të dinte nëse unë, si anëtar nderi i kësaj të fundit dhe si dekan i ardhshëm i Fakultetit të shkencave erotike të Bërraka University, mund t’i sugjeroja se cilit shkrimtar shqiptar, përjashto, natyrisht, Kadarenë, Kongolin e ndonjë tjetër, mund t’i jepej titulli “Princ i Bërrakës”. I kërkova të më linte ta mendoja mirë këtë çështje dhe i thashë se do t’i telefonoja më vonë. E vrava mendjen gjatë para se t’i përgjigjesha dhe ja çfarë i propozova.
I propozova të vinte në jetë një mendim të kahershëm të Umberto Ecos lidhur me një çmim kombëtar në Itali për shkrimtarin më të keq të vitit; Eco-ja e vuri në jetë këtë ide dhe çmimi në fjalë ishte rrumbullak një euro. Që në fillim, Xim Çukullata ngurroi sepse ishte përgatitur shpirtërisht që titulli “Princ i Bërrakës” t’i jepej ndonjë shkrimtari deri diku të njohur, madje, si herë e parë, ndonjë shkrimtari me ngjyrë. Pastaj, e hodhi kategorikisht poshtë propozimin tim me argumentin që Akademia e Bërrakës do të bënte kështu shumë armiq, kurse Bërraka University rrezikonte të mbetej pa studentë në Fakultetin e tij të shkencave erotike. Sidoqoftë, gjykoi me vend të më përfshinte menjëherë në jurinë e ngritur për këtë qëllim, në të cilën bënin pjesë edhe miqtë e mi Aqif Qifa, Françesk Armadhi e Vangjel Lezeti. Të nesërmen, u mblodhëm, pra, si juri dhe këqyrëm listat e shkrimtarëve shqiptarë kandidatë për titullin “Princ i Bërrakës”. O Perëndi! Listat ishin pa fund: nuk e kisha ditur se sa shumë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit pretendokan që janë shkrimtarë! Por u habita më tepër kur pashë se sa shumë miq na kishin futur për të përkrahur këtë apo atë kandidaturë. Rrjedhimisht, rezultoi e pamundur që juria të binte dakord për një kandidat konsensual; atëherë ndoqëm metodën e eliminimit dhe, pas shumë orësh plot debate të zjarrta, mbërritëm në një listë me gjashtëdhjetë e nëntë kandidatë, që të gjithë me miq të fortë dhe të pakundërshtueshëm duke filluar nga Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit, Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryebashkiaku i Tiranës, deri te Papa, Bin Ladeni dhe Sekretari i përgjithshëm  i OKB-së, pa përmendur krerët e OBSH-së, OBT-së, NATO-s, UNESCO-s, FMI-së etj., etj. Në këto kushte, juria e Akademisë së Republikës autonome të Bërrakës, ku bëja pjesë edhe unë, vendosi njëzëri të jepeshin gjashtëdhjetë e nëntë tituj “Princ i Bërrakës” që t’i kënaqte gjithë kandidatët e listës përfundimtare dhe, sidomos, kryesisht e veçanërisht, miqtë e tyre të fuqishëm (me ose pa rrokjen e parë të kësaj fjale të frikshme).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›