Kryesia e PD: Kuvendi i Partisë analizë 28 qershorit
ADI SHKEMBI
Kryesia e Partisë Demokratike zyrtarizoi dje thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 12 dhjetor, ditën e themelimit të kësaj partie. Megjithëse mbledhja e këtij forumi ishte deklaruar dy javë më parë nga Kryeministri Sali Berisha gjatë një emisioni televiziv, vetëm në mbledhjen e djeshme u konfirmua vendimi, i cili i hap rrugë zgjedhjes së delegatëve. Në këtë mbledhje u vendos që Kuvendi, i cili do të zgjedhë kryetarin dhe këshillin kombëtar, të bëjë edhe një analizë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në përfundim të mbledhjes, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, tha se “ky Kuvend Kombëtar Zgjedhor do të jetë akti final i procesit të analizave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 Qershorit, si dhe i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në kuvendet e degëve. Këto analiza do të shoqërohen me të gjitha korrigjimet e nevojshme në drejtimin e strukturave lokale për të mënjanuar defektet e mundshme të vërejtura në zgjedhjet e 28 Qershorit”. Në mbledhjen e kryesisë u vendos gjithashtu ngritja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë që do të drejtohet nga nënkryetari Astrit Patozi, si dhe Komisioni për Rishikimin e Statutit që do të drejtohet nga sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode. “Kryesia e Partisë Demokratike ka bindjen e plotë se ky proces zgjedhor do të fuqizojë më tej Partinë Demokratike në të gjitha nivelet dhe përbën një moment të rëndësishëm të bazës elektorale dhe përfaqësimit publik të Partisë Demokratike”, theksoi më tej zëdhënësja Mëhilli. Sipas nenit 38 të Statutit të PD-së, Kuvendi kombëtar është organi më i lartë i partisë dhe përbëhet nga delegatët e zgjedhur nga degët, anëtarët e Këshillit Kombëtar, anëtarët e komisionit qendror të apelimit, sekretarët funksionalë të partisë, kryetarët e bashkive të kategorisë së parë dhe kryetarët e qarqeve, koordinatorët e KOP-it, si dhe një numër i kufizuar përfaqësuesish të organizatave partnere. Megjithëse sipas statutit, do të zhvillohej përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, Kuvendi i PD-së u shty për të shmangur përplasjet e mundshme brenda saj.