Spitalet, vetëm gjysma e shtretërve shfrytëzohen

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana
ISKSH-ja llogarit kostot. Kartelat e pacientëve, elektronike.
Hana: Një operacion mesatarisht kushton 55 mijë lekë.
Shfrytëzim i ulët i shtretërve dhe ditë-qëndrim i lartë në spital. Po kështu, kosto të ndryshme për sëmundjet në varësi të rastit. Këto janë disa nga të dhënat për spitalet e vendit, të cilat u publikuan dje nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Mesatarisht shtretërit shfrytëzohen më pak se 50%. Kostoja mesatare e një operacioni varion nga 46 mijë në 55 mijë lekë. Shërbimi i obsetrikës, nga 34 mijë në 37 mijë lekë. Patologjia kushton nga 37 mijë në 42 mijë lekë. Ndërsa shtrimi i një fëmije në pediatri, nga 32 mijë deri në 34 mijë lekë. Por, pavarësisht këtyre treguesve, për pacientët vjen edhe një lajm i mirë. Kartelat e tyre në spitale tashmë do të jenë elektronike. Të gjitha të dhënat e tyre për trajtimin e një sëmundjeje të caktuar do të jenë online. ISKSH-ja ka përfunduar instalimin e softit kompjuterik të llogaritjes së kostos sipas shërbimeve mjekësore dhe diagnozave. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, gjatë një prononcimi për mediat, u shpreh se ka ardhur koha që protokollet e mjekimit që po hartohen për spitalet, të bazohen në kostot reale të shërbimeve mjekësore. Pas një pune 3-vjeçare të ISKSH-së për matjen e kostove të disa shërbimeve kryesore, mendojmë se ka ardhur koha të gjenden zgjidhjet për ndryshimin e mënyrës së financimit në spitale duke u bazuar në protokollet që po hartohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe aktorët e tjerë, të cilat duhet të bazohen në kostot reale të shërbimeve, tha Hana. Ajo bëri me dije se në zbatim të reformës në shërbimin shëndetësor parësor, ISKSHja ka kontaktuar me ofruesit e shërbimeve duke marrë informacion real mbi gjendjen aktuale. Në këtë mënyrë është iniciuar ngritja e strukturave të reja administrative, plotësimin e tyre me personel të kualifikuar, si: (qendra e kostos, qendra e përpunimit të të dhënave statistikore, ngritja e zyrës së informacionit dhe recepsionit, tha Hana. Në të ardhmen pritet lidhja e metodave të financimit të spitaleve me ofrimin e paketave të shërbimit dhe realizimin e indikatorëve të performancës si një mekanizëm që do të ndikojë në sigurimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit mjekësor ndaj pacientit.
Qendër e re në QSUT
Përurohet Qendra Kombëtare e Trajtimit dhe Kujdesit të Varësisë ndaj Drogave. I pranishëm në hapjen e kësaj qendre ishte dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Pritet që kjo qendër, e cila është konceptuar të jetë polivalente, do të ofrojë trajtim të specializuar si brenda, ashtu dhe jashtë spitalit dhe do të shërbejë si një qendër trajnimi, koordinimi dhe referimi në nivel kombëtar, tha Vasili. Qendra ka 20 shtretër dhe do të drejtohet nga një ekip multidisiplinor, ku përveç mjekëve adiktologë dhe infermierëve, janë punësuar psikologë dhe punonjës socialë. Deri pak kohë më parë, si qendër trajtuese ka shërbyer Klinika Toksikologjike pranë Spitalit Ushtarak, ku sipas statistikave të ofruara nga kjo klinikë, vitin e kaluar kanë kërkuar ndihme trajtuese rreth 900 persona, 60% e të cilëve janë të moshës 14 – 40 vjeç.
Shfrytëzimi i shtratit
Spitalet bashkiake 32.1%
Spitalet e qarkut 38%
Materniteti Nr. 1 67.9%
Materniteti Nr. 2 42.5%
Spitali Universitar
Nënë Tereza 63%
Spitali Universitar
i Sëmundjeve
të Mushkërive 84.5%Ditë-qëndrimi mesatar në spital për pacient është:
Spitalet bashkiake 6 ditë
Spitalet e qarkut 5 ditë
Materniteti Nr. 1 3.6 ditë
Materniteti Nr. 2 3.15 ditë
Spitali Universitar i
Sëmundjeve
të Mushkërive 9.4 ditë
Spitali Universitar
Nënë Tereza 6.61 ditë
ZIRINA LLAMBRO