E Shtunë, 31 Tetor 2026

Princi i polifonisë për "engjëj të polifonisë"

30/09/2009  Del në qarkullim libri i poetit Lefter Çipa

GJIROKASTËR - Në ditët e festivalit folklorik nga shtëpia botuese "Uegen" u botua dhe u hodh në qarkullim libri "Engjëj të polifonisë" të autorit Lefter Çipa.

Ky është libri i nëntëmbëdhjetë i këtij autori, por ndryshe nga librat e mëparshëm në përmbajtje të të cilave ka qenë poezia në këtë botim autori ka përzgjedhur një varg me artikuj, ese dhe letra refleksione si dhe vetëm një poezi. Lefter Çipa konsiderohet sot si një ndër autorët më produktiv të poezisë që ka për destinacion këngën polifonike dhe nga studiuesit dhe hulumtuesit konsiderohet si autor i papërsëritshëm i këngëve të valencës së lartë artistike dhe muzikore.

Disa prej krijimeve të tij më të arrira si "Bejkë e bardhë e borë e malit", "Vijnë djemtë nëpër vapë", "Nga kjo baltë e kësaj toke", "Naim Shqipëria", "Vito pëllumbesha" e të tjera kanë rrugëtuar në të gjitha eteret shqiptare dhe përsëri ato dëgjohen me ëndje nga adhuruesit e polifonisë. Në çdo festival folklorik Lefter Çipa është prezantuar me këngë lapidare të interpretuara kryesisht nga Grupi Polifonik i Pilurit grup në të cilin për dyzet vite ka qenë edhe udhëheqës artistik. Por, vargu i pikuar i Çipës është kënduar me ëndje edhe nga grupet e tjera polifonike si ai i Himarës, Bënçës, Dhërmiut, grupit "Ergjeria" Gjirokastër, grupet polifonike të Vlorës, Tepelenës e të tjera. Në përmbajtje të librit të ri janë shënime, letra, artikuj, e të tjera ku autori dialogun me disa nga personalitetet e polifonisë si Neço Muka, Nase Beni,Xhebro Xhika, Llambro Çipa, Mërkur Mërkuri e të tjerë. "Engjëj të polifonisë" sjell ngjarje, emra dhe histori që lidhen drejtpërsëdrejti me përpjekjet për ruajtjen dhe zhvillimin e polifonisë si një vlerë e rrallë e polifonisë shqiptare. E vetmja "dashuri vjetër", është një poezi e vetme, më saktë një baladë e kënduar për Gjok Becin, titulluar "Në atë zjarr a ka flakë për mua"!Në këtë vëllim përfshihen edhe disa shkrime të autorëve të ndryshëm si Arta Marku, Gëzim Llojdia kushtuar Lefter Çipës, të cilin ata e pagëzojnë si princ të polifonisë!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›