Gjermania, shteti i parë që hap ambasadën në Kosovë
Zyra ndërlidhëse gjermane shndërrohet në Ambasadë të Republikës Federale të Gjermanisë. Thaçi: “Kosova do të fillojë procedurat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”
Gjermania është shteti i parë që hap ambasadën në Kosovën e pavarur. Zyra ndërlidhëse gjermane është shndërruar dje në Ambasadë të Republikës Federale të Gjermanisë duke shënuar hapjen e ambasadës së parë në Prishtinë. Gjatë ceremonisë festive, krahas flamurit të Gjermanisë dhe atij të BE-së, u vendos edhe flamuri i Kosovës. Agjencitë e lajmeve kosovare bëjnë të ditur se shumë shpejt pritet të emërohet edhe ambasadori i gjerman. Karl Vokalek, ushtrues i detyrës së ambasadorit gjerman, ka bërë të ditur se kjo zyrë në të shkuarën ka kryer të gjitha funksionet që do të kryejë në të ardhmen ambasada pavarësisht se Kosova nuk ka qenë një vend i pavarur. “Por tani kemi mundësinë të vendosim këtë pllakë me emërtimin Ambasada e Republikes Federale të Gjermanisë dhe kjo tregon se ne jemi këtu për të mbrojtur dhe zbatuar interesat gjermane në vend. Marrëdhëniet do të mbesin të njëjta, nuk do të ndryshohet asgjë. Ne e kemi ndihmuar Kosovën, do të vazhdojmë ta ndihmojmë, jemi të pranishëm jo vetëm si shtet, por edhe në kuadër të Bashkimit Europian dhe do t’i vazhdojmë të gjitha detyrat që kemi kryer deri tani”, - është shprehur Vokalek. Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë u zyrtarizuan më 21 shkurt, kur Gjermania njohu pavarësinë e Kosovës. Kjo u bë me një shkëmbim letrash ndërmjet presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe atij të Gjermanisë, Horst Köhler. Edhe qeveria shqiptare para disa ditësh ka emëruar Islam Laukën si ambasadorin që do të ushtrojë detyrën në Prishtinë. Ambasada shqiptare pritet që së shpejti të fillojë punën normalisht në Prishtinë. Ndërkohë, sinjale pozitive për shtetin e ri vijnë edhe nga arena ndërkombëtare. Kryeministri kosovar Hashim Thaçi gjatë mbledhjes së qeverisë ka bërë të ditur se Kosova do të fillojë shumë shpejt procedurat për anëtarësim në disa prej organizatave e mekanizmave ndërkombëtare, duke u përgatitur që një ditë të konkurrojë edhe për anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe në Bashkimin Europian. “Tanimë është dita e dhjetë e funksionimit të Kosovës si shtet sovran dhe demokratik dhe ne duhet të fillojmë menjëherë si institucione të Kosovës procesin e aplikimit për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Shumë shpejt fillojnë procedurat për anëtarësim edhe në OKB, BE, me angazhimet që janë të domosdoshme paraprake, që të jemi pjesë e përkushtimit dhe vizionit tonë për NATO dhe OSBE”, - tha Thaçi. Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për çështjen e kufijve. Thaçi ka dhënë garanci për siguri maksimale.
28 Shkurt 2008