“Prioritet, krijimi i vendeve të reja të punës dhe mbrojtja e konsumatorit nga çmimet abuzive”
Kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës, prezanton kandidatin për kryetar të njësisë bashkiake nr. 1, Agron Seseri
Kandidati i Partisë Demokratike për kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, rishprehu angazhimin për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbrojtjen e konsumatorit nga çmimet abuzive.
Gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar të njësisë bashkiake nr. 1 në zonën e “Ali Demit”, Agron Seseri, Basha theksoi se “punësimi do të jetë prioriteti kryesor i axhendës së tij”. “Prioritet mbi prioritetet, detyrim mbi detyrimet, fjalë e dhënë, premtim që do ta zbatoj është punësimi, punësimi dhe vetëm punësimi. Ç’kryebashkiak mund t’i them unë vetes, nëse problemet kryesore që keni gjithsecili prej jush, që prekin gjithsecilin prej nesh, punësimi dhe çmimet në këtë qytet, i flak tutje dhe nuk e konsideroj problemin tim”, u shpreh Basha.
Kandidati për kryebashkiak theksoi se e vetmja e betejë në krye të Bashkisë së Tiranës do të jenë problemet e qytetarëve.
Sipas tij, “politika e shpifjes dhe përbaltjes nuk krijon vende pune dhe nuk rrit cilësinë e jetës në Tiranë”. Basha siguroi banorët e “Ali Demit” se shqetësimet e tyre janë prioritet i punës së tij. “Ali Demi’ dhe gjithë zonat e Tiranës do të kenë vëmendjen time çdo ditë kur të jem Kryetar i Bashkisë’”, tha Basha.
Gjithashtu, ai theksoi se angazhimet kryesore të tij pas marrjes së mandatit të kryebashkiakut do të jenë asfaltimi i rrugëve dhe rrugicave të Tiranës, krijimi i hapësirave të gjelbra, ndërtimi i shkollave të reja dhe parqeve për fëmijët dhe të moshuarit. “Ndërtimi i infrastrukturës, i kanalizimeve, i rrugëve, çështja e pronës, rivlerësimi i saj dhe zhvillimi i saj dinamik janë prioriteti im. Çdo premtim që japim sot, bazohet në një projekt serioz, konkret që do ta zbatojmë, duke filluar nga data 9 Maj”, tha Basha para banorëve.
Duke folur para banorëve, kandidati për kryetar të njësisë bashkiake nr. 1, Seseri shprehu bindjen se ashtu siç ka ndryshuar Shqipëria në këto 6 vite do të ndryshojë dhe Tirana pas 8 majit. Seseri tha se “Ali Demi” ka nevojë për vëmendjen e Bashkisë së Tiranës.
“Ne që ndryshuam faqen e Shqipërisë sigurisht do të mund të ndryshojmë edhe faqen e Tiranës dhe minibashkisë tonë të dashur”, tha Seseri.