Mitingu i LSI, Xhaferaj: Së bashku për ta bërë Durrësin një qytet më të mirë për të gjithë

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi takimin e madh hapës të fushatës së saj elektorale për zgjedhjet vendore në Durrës, duke i ftuar të gjithë të mbështesin Ferdinand Xhaferajn, kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. “Sëbashku për ta bërë Durrësin një qytet më të mirë për të gjithë” - tha Xhaferaj në fjalën e tij në takimin që u mbajt në Pallatin e Kulturës. Në zgjedhjet vendore të 8 majit, Xhaferaj është përballë kryebashkiakut aktual Vangjush Dako, i cili rikandidon në emër të Partisë Socialiste. “Ne na bashkon bindja se Durrësi meriton më shumë, Durrësi nuk meriton Vangjush Dakon” - tha Xhaferaj.
Në takimin hapës të fushatës së Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrësin ishte i pranishëm Ilir Meta, kryetari i kësaj force politike, deputeti Lefter Koka, prefekti Genci Alizoti, etj. I pranishëm ishte edhe deputeti Igli Cara, kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës. “Durrësi është një qytet që ka probleme dhe ka nevojë për një kryetar bashkie që të vërë të parët qytetarët dhe jo sherret politike, - tha Meta. - “Aleanca e Betonit” rezultatin më të dëshpëruar do ta përjetojë këtu në Durrës, sepse ne paraqesim alternativën më të mirë.”
Lefter Koka: Dako u importua në 2007 dhe u imponua në 2011
Deputeti Lefter Koka u bëri thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim të mbështesin Ferdinand Xhaferajn, kandidatin e përbashkët të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Ndërkohë, ai iu drejtua edhe simpatizantë të Partisë Socialiste që të mos mbështesin Vangjush Dakon, njeriun e gabuar për të drejtuar Bashkinë e Durrësit. “Dua t’u drejtohem miqësisht edhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, - tha deputeti Koka. - Nuk mundet t’ju përfaqësojë ju një kryetar i importuar në vitin 2007 dhe i imponuar më 1 prill 2011. Unë sinqerisht shpresoj që Rama të ketë festuar me tamam 1 prillin në ditën e prezantimit”.
Deputeti Koka, i cili ka qenë edhe kryetar i Bashkisë së Durrësit gjatë viteve 2003 – 2007, tha se Vangjudh Dako i transformoi punonjësit e Bashkisë në mitingashë. “Nuk është e lejuar që të largosh administratën e Bashkisë nga detyrat e tyre funksionale për t’i transformuar në mitingashë, - tha Koka, - nuk është e lejuar që strukturat e partisë të transformohen në Bashki, e Bashkia në sportel pensionistësh.” Më pas, ai shtoi se “është e papranueshmë që banesat sociale të ndërtuara në dy vjet, gjatë viteve 2005 – 2007, të mos ndahen për katër vjet në vitet 2007 – 2011.” “Ftesa ime, por edhe e vetmja zgjidhje, është të votoni për Lëvizjen Socialisate për Integrim dhe kandidatin e përbashkët Ferdinand Xhaferraj, - vijoi deputeti Koka. - Qytetarët durrsakë, me urtësinë dhe zgjuarsinë e tyre, të bëjnë zgjedhjen e duhur”.
Xhaferaj: Durrësi ka ngelur aty ku ishte katër vite më parë
Takimi hapës të fushatës elektorale të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës e ka përshëndetur edhe kandidati Ferdinand Xhaferaj. “Që prej dy vitesh, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë bashkuar forcat për të qeverisur vendin, - tha Xhaferaj, - dhe rezultatet kanë qenë tejet pozitive. Si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta, ne hoqëm vizat, një arritje kjo e prekshme për çdo qytetar shqiptar.” Xhaferaj vazhdoi duke premtuar se “ne do të vazhdojmë të tregojmë se jemi për qytetarin.”
“Ne sëbashku kemi bërë një program dhe ne bashkë do ta drejtojmë Bashkinë e Durrësit,” - u shpreh Xhaferaj. Ai foli gjithashtu edhe për mënyrën se si Vangjush Dako e ka drejtuar qytetin dhe Bashkinë. “Dako është i vetmi kryetar që e vuri Bashkinë në shërbim të biznesit të tij, - tha kandidati Xhaferaj. - Betoni është e vetmja rrugë e tyre.” Duke iu referuar mandatit të Lefter Kokës në krye të Bashkisë së Durrësit, Xhaferaj tha se Dako nuk ka bërë asnjë punë. “Durrësi ka mbetur aty ku ishte katër vite më parë,” - tha Xhaferaj.
Xhaferaj prezantoi shkurtimisht edhe pikat kryesore të programit të tij, ku theksin e vuri tek ulja e taksave të biznesit të vogël dhe tek domosdoshmëria e ndërtimit të unazës së qytetit, gjë që do t’i japë shtysë zhvillimit të Durrësit.
Kandidati demokrat për bashkinë e Durrwsit, Ferdinand Xhaferaj takohet me banorët e zonës së Plazhit
“Dako përfiton 300 mln lekë nga plazhet private dhe nuk investon asgjë për banorët”
“Gati projekti me vlerë 10 mln euro për sistemimin e kanalizimeve. Përparësi do të marrë edhe ndërtimi i plazhit publik.”
Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, për kreun e Bashkisë së Durrësit, Z.Ferdinand Xhaferaj, i shoqëruar edhe nga deputeti Eduard Halimi, zhvilloi një takim me banorët e zonës së Plazhit, përkatësisht të Ilirisë dhe Plepave.
Duke qenë se kjo zonë e qytetit të Durrësit, ka qenë gjithnjë problematike sa i përket çështjes së privatizimeve të banesave, i pari që foli ishte deputeti Halimi, i cili njëkohësisht ka qenë ndër nismëtarët e zgjidhjes së këtij problemi. Halimi tha se kryetari aktual i bashkisë, Vangjush Dako, ka refuzuar të zbatojë ligjin që e detyron për privatizimin e kabinave të plazhit dhe gjithashtu nuk ka marrë në konsideratë as studimin e bërë nga Këshilli i Qarkut të Durrësit, i cili parashikonte ndërtimin e plazhit publik dhe banjove publike, të tjera probleme të rëndësishme këto për zonën e plazhit.
Sipas deputetit Halimi, Vangjush Dako dhe ekipi i tij nuk kanë bërë asnjë studim mbi shkaqet që çojnë në përmbytjen e zonës së plazhit, qoftë edhe pas reshjeve të pakta të shiut dhe ndërkohë që ka përfituar shuma të tilla si 300 milionë lekë në vit nga plazhet private , nuk ka bërë asnjë investim për këtë zonë.
Duke u ndalur në prezantimin e kandidatit të mazhorancës për kryetar bashkie të qytetit, deputeti Halimi tha se kandidati Xhaferaj ishte njeriu i duhur për Durrësin , jo vetëm për cilësitë e tij si njeri dhe politikan, por se detyra e tij e mëparshme si Ministër edhe i turizmit e kishte bërë të njihte problemet me të cilat përballet kjo pjesë e Durrësit dhe të bënte përpjekjet maksimale për zgjidhjen e tyre.
Nga ana e tij kandidati i koalicionit të mazhorancës, Z. Ferdinand Xhaferaj evidentoi tri problemet kryesore të zonës së Plazhit, duke thënë njëkohësisht se një nga prioritetet e programit të tij si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Durrësit, do jetë kthimi i Plazhit te qytetarët.
Privatizimi i kabinave të plazhit, rregullimi i sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe ndërtimi i një plazhi publik do të ishin tri problemet kryesore të cilat sipas kandidatit Xhaferaj do të kishin vëmendjen e tij të menjëhershme pas 8 majit.
Problemet e zonës së Plazhit
Duke ju referuar problemit të kanalizimeve, Z.Xhaferaj tha se ka nisur të implementohet projekti me vlerën 10 milionë euro, i cili parashikon rehabilitimin e sistemit të kanalizimeve duke filluar nga zona e quajtur Përroi i Agait e deri tek Ura e Dajlanit, si edhe shumë shpejt do të përfundojnë edhe punimet për impiantin e përpunimit të ujërave të zeza në zonën e ish Kënetës.
Gjithashtu Z. Xhaferaj tha se referuar problemit të privatizimit të banesave, shumë shpejt 462 familje, nëpërmjet një vendimi të qeverisë, do të kenë mundësi të bëhen pronarë të banesave ku jetojnë.
Të tjera probleme, për të cilat Z.Xhaferaj shprehu se do të kishin vëmendjen e tij të plotë pas zgjedhjeve të 8 majit, ishin ndërtimi i hapësirave të gjelbra në zonën e Plazhit, pastrimi i ambienteve dhe krijimi i kushteve të favorshme për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në këtë zonë.
Duke folur për kryetarin aktual të bashkisë së Durrësit dhe rivalin e tij në këtë garë elektorale, Z. Xhaferaj u shpreh se Dako në katër vjet ka parë vetëm interesat e biznesit të tij dhe se duke përfituar nga vota e qytetarëve, e ka kthyer qytetin dhe zonën e Plazhit në pronë tijën, prej së cilës nxjerr fitime marramendëse, të cilat shkojnë në xhepin e tij dhe jo në shërbim të qytetarëve.
Nga ana e tyre vetë banorët, duke shprehur besimin në kandidaturën e Z. Xhaferaj, thanë se problemet të cilat ngriti kandidati ishin problemet që i shqetësonin prej më shumë se katër viteve dhe se asnjëherë nuk kishin marrë vëmendjen e duhur nga Bashkia dhe drejtuesit e saj. Për më tepër banorët u shprehën të indinjuar për mungesën e investimeve në zonën e Plazhit dhe gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhen sistemi i kanalizimeve dhe plazhi, i cili për më tepër nuk iu përkiste më atyre, por ishte privatizuar pa të drejtë.