“Prioritet ulja e taksave nga 2-5 herë dhe zhvillim dinamik i lagjeve të qytetit”

Lulzim Basha nis takimet me qytetarët e Tiranës, duke shpalosur alternativën fituese për qeverisjen kryeqytetase të pas 8 majit
Kandidati për Kryebashkiak i Tiranës, Lulzim Basha, ashtu siç premtoi në ceremoninë e çeljes së fushatës elektorale, nisi dje takimet dhe dëgjesat publike me banorët e qytetit. Turi i Bashës nisi në lagjen ku ai u rrit, pranë rrugës së Dibrës.
Basha takoi qindra banorë të Njësisë Nr. 8 në rrugën “Riza Cerova” dhe në rrugën e Saraçëve. Ata ndanë shqetësimet e tyre me kandidatin Basha. Banorët evidentuan problematikat që ndeshin çdo ditë. Ata thanë se taksat janë të larta, u mungojnë trotuaret dhe shtëpitë e vjetra kanë nevojë urgjente për rikonstruksion.
“Paguaj 850 mijë lekë taksa në vit. Paguaj 350 mijë lekë për gjelbërimin dhe 190 mijë lekë për pastrimin. Nuk mungon as taksa e tabelës. Deri tani në mesditë kam bërë xhiro vetëm 3 mijë lekë. Do të detyrohemi të punojmë në të zezë, sepse nuk e përballojmë dot. Na duhet zgjidhje”, i tha Bashës një pronar i një lokali të vogël.
Banorë të tjerë ndanë shqetësimin e infrastrukturës dhe faktin se lagjja e tyre ka mbetur e pazhvilluar, megjithëse gjendet në mes të Tiranës.
Basha i dëgjoi banorët e zonës dhe bisedoi me ta problemet e jetës së përditshme. “Nisa takimet në këtë zonë, sepse jam rritur këtu”, tha Lulzim Basha.
Kandidati për kryebashkiak tha se është prioritet zhvillimi i zonave. Në veçanti, ai u ndal në problemet e infrastrukturës, biznesit të vogël, taksave lokale, varfërisë dhe përkujdesjes sociale për qytetarët në nevojë. “Kjo lagje ka nevojë për zhvillim. Pasurinë shpirtërore të lagjes duhet ta ruajmë dhe t’i japim zgjidhje varfërisë”, tha Basha.
Ai premtoi se kur të jetë kryebashkiak do të ulë 2 deri në 5 herë taksat si dhe do të ketë prioritet zhvillimin dinamik të lagjeve të Tiranës. Ai mori dhe mbështetje në këtë zonë. “Do t’ju votojmë, sepse ti i ke mbajtur premtimet”, tha një e moshuar që shtrëngoi duart me kandidatin Basha gjatë turit të tij në ditën e parë të fushatës për zgjedhjet lokale të 8 majit 2011.