Prioriteti i Shqipërisë, integrimi në Bashkimin Evropian
Ilir Meta takon përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës gjermane në Berlin
Gjatë një vizite pune në Gjermani, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta u takua me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës në Bundestag. Në këtë kuadër, z. Meta zhvilloi bisedime me z. Philip Missfelder, Deputet dhe Zëdhënës i CDU për Politikën e Jashtme në Bundestag. Gjatë takimit z. Missfelder theksoi se Gjermania e mbështet integrimin evropian të Shqipërisë si dhe ecurinë e përmbushjes së prioriteteve të BE brenda vendit. Z. Missfelder vuri në dukje se integrimi më i mire do të ishte fuqizimi i mëtejshëm ekonomik i Shqipërisë dhe rritja e mirëqenies, ndërkohë që Gjermania do vazhdojë ti kushtoje vëmendje Shqipërisë në këtë aspekt. Z. Meta, pasi bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit në Shqipëri, theksoi se prioriteti ynë kryesor mbetet integrimi evropian, pavarësisht sfidave që vendet e BE-së po kalojnë aktualisht, duke shtuar se integrimi për shqiptarët është më i rëndësishëm se çdo popull tjetër në rajon, për shkak të izolimit të madh historik që vendi ka përjetuar në të kaluarën. Z. Meta tha se bashkëpunimi me Gjermaninë është kyç në këtë aspekt dhe investimet gjermane janë shumë të mirëpritura në Shqipëri, e cila ofron një klimë miqësore ndaj biznesit të huaj. Z. Meta dhe z. Missfelder gjithashtu vunë në dukje se Shqipëria vlerësohet për rolin e saj konstruktiv në rajon. Në këtë kontekst z. Meta e siguroi z. Missfelder për vazhdimësinë e këtij roli duke theksuar se Shqipëria këtë e sheh si një detyrë, por edhe përgjegjësi ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë. Në këtë kuadër, z. Meta nënvizoi rëndësinë e qartësimit të një rruge integruese drejt BE-së për Kosovën, duke theksuar këtu liberalizimin imediat të vizave për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu në kuadër të vizitës se tij ne Gjermani, z. Meta u takua me z. Dietmar Nietan, Deputet i majtë, anëtar i Komisionit të Jashtëm në Bundestag dhe Zëdhënës për Evropën Jug-Lindore i partisë opozitare SPD. Z. Nietan pasi u interesua për zhvillimet politike në Shqipëri, vuri në dukje se bashkëpunimi më i afërt i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, është në interes të vetë vendeve anëtare të BE-së. Z. Nietan shprehu gjithashtu vlerësimin e tij për politikën e jashtme të Shqipërisë, dhe veçanërisht rolin e saj konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Në këtë kontekst, ai nënvizoi rëndësinë që edhe politika e brendshme të jetë po aq konstruktive. Z. Meta theksoi se pavarësisht retorikave të tepërta konfliktuale, Shqipëria ka ruajtur stabilitet qeverisës dhe makro-ekonomik, duke vënë në dukje këtu se LSI do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në interes të stabilitetit të vendit, por edhe të rajonit. Z. Meta gjithashtu theksoi se politika shqiptare ka nevojë për më tepër maturi dhe përgjegjshmëri kombëtare, dhe se konfliktet e sajuara tërheqin vëmendjen nga çështjet me rëndësi për vendin, si dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në botë padrejtësisht. Në përfundim, z. Meta shprehu përkushtimin e LSI ndaj përmbushjes së prioriteteve të BE-së në interes të përshpejtimit të procesit të integrimit në BE.
LSI: Palët të punojnë për integrimin, Rama të reflektojë/Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë thirrje forcave politike të bashkëpunojnë në përmbushjen e reformave të cilat do ta çojnë vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian. Në një konferencë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama theksoi se plotësimi i kushteve të vëna nga BE-ja që Shqipëria të përmbush detyrimet nuk janë çështje vullnetesh politike dhe interesash individuale por kanë të bëjnë me çështjen kombëtare të vendit. “Çdo shmangie, tërheqje ose tendencë për të bllokuar është në dëm të interesave europiane. Nuk ka vend për ngazëllim të dikujt por për shfaqje të rëndësisë dhe angazhimit real. Duke qene që integrimi i vendit është dominante, LSI-ja i fton palët, faktorët dhe aktorët e rëndësishëm politik të kuptojnë domosdoshmërinë e plotësimit të të gjitha detyrimeve, në mënyrë që 100-vjetori I Pavarësisë t`i sjellë Shqipërisë edhe atë që është aspirata jonë e hershme, meritimin e statusit si vend kandidat në Bashkimin Europian”- u shpreh Luan Rama. Ndërsa ka akuzuar lidershipin socialist për bllokimin që po i bën reformave, Luan Rama i kërkoi këtij të fundit të reflektojë pasi sipas tij barrierat e vendosura ndaj procesit të integrimit janë të panevojshme dhe absurde. “Reflektimi dhe ulja në tryezën e dialogut politik është angazhimi i palëve në përmbushjen e detyrimeve. Është nonsens rikthimi në praktikën e dështuar e më shumë se një viti më parë. Socialistët shqiptarë kanë kontribuar dhe kanë meritën e tyre në gjithçka që është arritur në këtë vend dhe kanë përgjegjësinë që këto kontribute t’i çojnë më tej dhe çdo kundërvënie e kryetarit të PS-së është sjellja më e papërgjegjshme dhe absurde” ka shtuar më tej Luan Rama.