E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishet konsensusi PD-PS për reformat

13/01/2012  Debate në Konferencën e Kryetarëve, opozita largohet pa miratuar kalendarin e Kuvendit

PS kërkon kohë për ligjet me 3/5-at. Kuvendi: Kërkesa e PS-së cenon marrëveshjen e 14 nëntorit

Mazhoranca dhe opozita dhanë dje shenjat e para të prishjes së mundshme të konsensusit mes tyre të arritur dy muaj më parë. Pakti mes PD-së dhe PS-së për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe miratimin e ligjeve me 3/5-at është cenuar rëndë në mbledhjen e djeshme të kryetarëve të grupeve parlamentare. Debati i djeshëm ka përfunduar me braktisjen e punimeve të Konferencës nga ana e opozitës pa miratuar kalendarin e punimeve të Kuvendit. Pas daljes nga mbledhja kreu i grupit socialist Gramoz Ruçi u largua pa dhënë asnjë shpjegim për këtë qëndrim të papritur të përfaqësuesve të opozitës në Kuvend. Fati i marrëveshjes, që u cilësua me shumë bujë si “rikthimi i normalitetit në jetën politike shqiptare”, mbetet për t’u mësuar në seancën e parë plenare të këtij viti, që do të zhvillohet të hënën e ardhshme.

Debati në Konferencë

Në kalendarin e punës së Kuvendit ishte përfshirë rishqyrtimi në komisioneve i disa ndryshimeve në ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar të votave, e konkretisht në Kodin Civil, Kodin Penal dhe ligjin për Gjykatën Administrative. Socialistët, nga ana e tyre, kërkuan që këto projektligje të mos përfshihen në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Pavarësisht se mbledhja e djeshme u zhvillua me dyer të mbyllura, burime brenda Kuvendit bënë me dije se kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi kërkoi që këto projektligje të hiqen nga kalendari, me argumentin se opozita ka nevojë për më shumë kohë për shqyrtimin e tyre. Por sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, bëhet me dije se “Konferenca përcolli me shqetësim kërkesën e kryetarit të grupit të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi për të hequr nga kalendari projektligjet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar, si një kërkesë që rrezikon seriozisht implementimin në kohë të marrëveshjes së 14 nëntorit 2011”. Pas përfundimit të mbledhjes përfaqësuesit e mazhorancës shprehën shqetësimin e tyre për tërheqjen e socialistëve nga marrëveshja për rishqyrtimin dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar deri në mars. Por këtij shqetësimi në reagimin me anë të sekretarit Taulant Balla socialistët nënvizuan se ngutja e mazhorancës dhe arbitrariteti në vendimmarrjen e Konferencës së Kryetarëve nuk e justifikojnë qëllimin e përbashkët për ta mbyllur këtë proces në mars. Në deklaratën e tij Balla u shpreh se “PS-ja rikonfirmon vullnetin politik e qytetar për ta përmbushur angazhimin ndaj vendit e ndaj Bashkimit Europian në këtë proces”. Por vazhdimësia e konsensusit mes PD-së dhe PS-së pritet të qartësohet të hënën e ardhshme. Të hënën Kuvendi do të mblidhet në seancën e parë për këtë vit dhe atje do të vendoset me votë ky kalendar pa konsensus, ku do të përcaktohet dhe fati i marrëveshjes së fundvitit të kaluar.

Vendimet e Konferencës

Për shkak të refuzimit të përfaqësuesve të PS-së për të filluar punën me këto projektligje, Konferenca e Kryetarëve e miratoi kalendarin e ri të punës së Kuvendit pa konsensus. “Me shumicë votash Konferenca vendosi që këto projektligje të mbeten në kalendar dhe të fillohet nga puna në komision për shqyrtimin e tyre në përputhje me pikën 1 dhe pikën 7 të vendimit të Konferencës së Kryetarëve të datës 14 nëntor 2011”, - thuhet në njoftimin e djeshëm të Kuvendit. Pika e parë e marrëveshjes së 14 nëntorit kërkonte që “projektligjet me shumicë të cilësuar të kalojnë për rishqyrtim dhe miratim në Kuvend në grupe me kalendarë trejavor, sipas miratimit të Konferencës së Kryetarëve dhe në përputhje me Rregulloren e Kuvendit”. Gjithashtu me shumicë votash Konferenca përcaktoi si datë të parë të shqyrtimit në seancë plenare të këtyre projektligjeve 2 shkurtin 2012, në rendin e ditës së të cilës do të përfshihet shqyrtimi i Kodit Civil.

Reagimi i PS-së

Grupi parlamentar socialist ka reaguar me anë të sekretarit Taulant Balla, pasi Konferenca e Kryetarëve miratoi pa opozitën kalendarin e punës për vitin 2012. Nëpërmjet një deklarate për mediet grupi parlamentar i PS-së nënvizon se opozita nuk i ka refuzuar ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, por ka kërkuar kohë për nisjen e punës në komisione. “Përfaqësuesit socialistë në Komisionin e Ligjeve po përgatitin qëndrimin tonë në atë komision për secilin nga projektet e paraqitura nga qeveria. Puna e tyre bazohet në afate të përcaktuara paraprakisht, që lidhen me domosdoshmërinë për të realizuar në afatin e paracaktuar bashkërisht me palën tjetër miratimin e projektligjeve në fjalë”, - tha Balla.

Edi Paloka

Nënkryetari i grupit demokrat Edi Paloka u shpreh: “Zoti Ruçi kërkoi në Konferencë heqjen nga kalendari të ligjeve me tri të pestat. Për ne përbën shqetësim, sepse në bazë të marrëveshjes që është realizuar më 14 nëntor, është kërkuar që këto kode të kalojnë. Sigurisht që nuk ka konsensus në seancë, por ata ishin kundër. Kërkuan heqjen nga kalendari të kodeve, për të cilat është arritur një marrëveshje.”

Pakti PD-PS

Mazhoranca e opozita më 14 nëntor 2011 arritën një marrëveshje politike, e cila parashikonte krijimin e komisionit për reformën zgjedhore, krijimin e një grupi pune për rishikimin e projektligjeve që kërkojnë 3/5-at e votave. Për herë të parë pas dy vjet e gjysmë në seancat plenare të Kuvendit PS-ja bashkoi votat e saj me PD-në dhe miratuan disa projektligje me shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Refuzimi i statusit

Me krisjen e djeshme të konsensusit të arritur mes partive të mëdha rikthehet në skenë refuzimi i radhës i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nga BE-ja. Ngritja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, aq shumë e kërkuar prej partnerëve ndërkombëtarë, është kusht për marrjen e statusit në qershor. Gjithçka varet nga vullneti i palëve për të vijuar ose jo bashkëpunimin mes tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›